Në procedurën e prokurimit publik të shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), për furnizim dhe mirëmbajtje të pajisjeve teknike, janë konstatuar shkelje të qarta të Ligjit për Prokurim Publik dhe favorizim i dukshëm ndaj konzorciumit ku pjesëmarrëse ishte edhe kompania Kienze.
Ky tender, i cili po orvatet të realizohet që nga viti i kaluar, është karakterizuar nga shtyrje të përsëritura, anulime të paarsyetuara dhe ndryshime në specifikimet teknike, elemente që kanë krijuar dyshime të forta se procesi është orientuar drejt një operatori të vetëm..
Një prej institucioneve më të mëdha publike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), është gjetur në shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), lidhur me tenderin me vlerë 3.2 milionë euro për “Rehabilitimin e kullës ftohëse në Termocentralin Kosova B”, shkruan Demokracia.com.
Në vendimin e saj, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik Bahri Asllani B.I. – SPIG S.p.A – Ekoinvest Sh.p.k., duke konstatuar se KEK ka shkelur disa nene themelore të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), përfshirë nenet 7, 59, 60 dhe 65, që garantojnë trajtim të barabartë, transparencë, konkurrencë të ndershme dhe përzgjedhje të ofertës më të favorshme ekonomikisht.

Si u zhvillua procedura dhe ku nisi shkelja
KEK kishte shpallur tenderin në gusht 2024, duke paraparë kontratë të hapur për punë, me vlerë 3,200,000 euro. Në garë morën pjesë disa operatorë, ndër të cilët edhe grupi i përbashkët Bahri Asllani B.I., SPIG S.p.A dhe Ekoinvest Sh.p.k., i cili ofroi çmimin më të ulët dhe dokumentacion të plotë ligjor, teknik e financiar.
Komisioni i parë i vlerësimit, më 28.02.2025, konstatoi se ky grup i përmbushte të gjitha kriteret dhe rekomandoi shpërblimin me kontratë, ndërsa grupi tjetër, ECO CLEAN CORPORATION sh.p.k. & JiangXi ARK Science Fluid Technology Co. LTD, u cilësua i papërgjegjshëm.
Megjithatë, pas dy muajsh KEK ktheu procesin në rivlerësim, duke formuar komision të ri i cili e eliminoi ofertën e Bahri Asllanit dhe shpërbleu operatorin e mëparshëm të papërgjegjshëm. Ky ndryshim pa prova të reja përbën parregullsi serioze procedurale që OSHP e ka konsideruar si “vërtetim të gabuar të gjendjes faktike”.
Arsyetimi i KEK-ut dhe rrëzimi nga OSHP
KEK pretendoi se njëri nga anëtarët e konsorciumit, SPIG S.p.A., ishte eliminuar meqë nuk ishte më pjesë e kompanisë amerikane Babcock & Wilcox, pasi kjo e fundit e kishte shitur SPIG-un më 31 tetor 2024.
Sipas arsyetimit të KEK-ut, kjo “ndryshonte statusin juridik” të ofertuesit dhe dokumentet që përmbanin logon e Babcock & Wilcox “paraqisnin informacion të pasaktë”.
Mirëpo, OSHP konstaton se ky argument është i pavërtetë dhe i pabazuar në ligj. Sipas raportit të ekspertit shqyrtues, shitja e aksioneve nuk ndryshon ekzistencën juridike të kompanisë. SPIG S.p.A. vazhdon të jetë entitet aktiv dhe prodhues legjitim, prandaj nuk ka arsye ligjore për eliminim. Për më tepër, logoja e vjetër në dokumentet teknike përbën “devijim të vogël që nuk ndikon materialisht në ofertë”, ndërsa KEK as nuk ka kërkuar sqarim zyrtar nga operatori i eliminuar duke shkelur parimin e trajtimit të barabartë të përcaktuar në nenin 7 të LPP-së.
Standardet e dyfishta të komisionit të rivlerësimit
OSHP-ja thekson se KEK ka përdorur standard të dyfishtë dhe diskriminues gjatë rivlerësimit. Operatorët e tjerë, si UNIVERS-MI apo Vatrostralna DOO, janë eliminuar për mungesë dokumentesh, ndërsa për ECO CLEAN CORPORATION sh.p.k. dhe partnerin e saj kinez janë bërë pyetje sqaruese, duke iu dhënë mundësi të plotësojnë dokumentet pas afatit ligjor. Kjo praktikë është në kundërshtim me nenin 59 të LPP-së, që ndalon përdorimin e kritereve selektive dhe detyron komisionin të mbështetet vetëm në dokumentacionin e dorëzuar brenda afatit të tenderit.
Mospërputhjet teknike dhe ekonomike të ofertës fituese
Sipas analizës së ekspertit dhe vendimit të OSHP-së, operatori fitues ECO CLEAN CORPORATION sh.p.k. & JiangXi ARK nuk ka përmbushur disa nga kërkesat thelbësore të dosjes së tenderit:
Ka ofruar garancion vetëm 12 muaj, ndërsa kërkesa ishte 24 muaj pas komisionimit;
Mbushjet në zonën qendrore të kullës ftohëse janë projektuar vetëm me 1 metër trashësi, kur kërkesa ishte 2 metra, duke rrezikuar performancën e sistemit ftohës;
Katalogët teknikë nuk përmbanin vizatime të detajuara e të nënvizuara, por vetëm fotografi, gjë që sipas nenit 10.1 të Udhëzuesit Administrativ është shkak për refuzim të ofertës pa kërkuar sqarime shtesë;
Nuk është përcaktuar bartësi i grupit dhe ndarja e detyrave midis partnerëve ekonomikë, siç kërkohet në specifikimin teknik të tenderit.
Dhe, më e rëndësishmja, çmimi i ofertës fituese ishte 200 mijë euro më i lartë se oferta e operatorit të eliminuar.
Të gjitha këto shkelje janë konsideruar nga OSHP si arsye të mjaftueshme për anulim të vendimit të KEK-ut dhe kthim në rivlerësim të tenderit.
- Mospërputhjet me ligjin dhe shkeljet e konstatuara
Në vendimin e saj përfundimtar, OSHP rendit qartë nenet e shkelura nga KEK:
- Neni 7 – Parimi i trajtimit të barabartë dhe transparencës: KEK nuk i trajtoi njësoj operatorët, duke kërkuar sqarime vetëm nga njëri dhe duke eliminuar tjetrin pa arsyetim.
- Neni 59 – Ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve: u përdorën kritere që nuk ishin pjesë e dosjes së tenderit (si pronësia e kompanisë ose logoja).
- Neni 60 – Kriteret për dhënien e kontratës: u shpërblye një ofertë më e shtrenjtë, ndonëse ekzistonte ofertë më e lirë dhe e përgjegjshme.
- Neni 65 – Pranueshmëria e operatorëve: eliminimi u bë pa prova se operatori i përjashtuar ishte i papërshtatshëm sipas ndonjë arsye ligjore.
Në bazë të këtyre shkeljeve, Paneli Shqyrtues e cilësoi vendimin e KEK-ut të paligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e prokurimit publik, duke urdhëruar anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe kthimin e tenderit në rivlerësim. /Demokracia.com/












