Rreth 80 prokurorë të angazhuar për balotazh: Të denoncohet çdo rast për keqpërdorim/manipulim të votës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë me dije se në zgjedhjet e së dielës, do të angazhohen rreth 80 prokurorë për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Prokurori i Shtetit ka ftuar qytarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Balotazhi do të mbahet të dielën në 18 komuna.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 9 nëntor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti janë komunat që pretendentët për kryetarë do të përballen në balotazh.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.