Asnjë lëvizje: Konjufca si Kurti, ende nuk e bën asnjë hap për sigurimin e votave për kryeministër

Kanë kaluar disa ditë që ka marrë mandatin nga presidentja për formimin e qeverisë së re, por nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, po qëndron i heshtur.

As ai dhe as shefi i tij nuk kanë treguar nëse gjatë këtyre ditëve kanë ndërmarr ndonjë hap për t`i siguruar votat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re.

Deri me tani askush nuk beson që deputeti Konjufca do të mund të formojë shumicën parlamentare në legjislaturën e nëntë.

Pavarësisht veprimit të presidentes, partitë opozitare e kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre se nuk kanë votë as për Glauk Konjufcën.

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, edhe një herë ka bërë me dije se parti e tij është për zgjedhje të reja.

Në një deklaratë për rtv21, ai ka thënë se për asgjë nuk e ndryshon qëndrimin e tij.

“Qëndrimi i PDK-së është i qartë se nuk e votojmë asnjë kandidat të LVV-së për kryeministër. Edhe nëse më kontakton dikush individualisht, unë jam brenda këtij qëndrimi të PDK-së dhe nuk lëvizi nga ky qëndrim”, ka thënë ai.

As minoritet jo serbe nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Deputeti nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka thënë se grupi multietnik i ka vetëm 8 vota për Glauk Konjufcen.

Në një prononcim për rtv21, ai ka treguar se dy deputetë të këtij grupi nuk e votojnë një qeveri të VV-së.

“Ne tashmë e kemi finalizuar marrëveshjen me LVV-në dhe ne si partner të koalicionit jemi të gatshëm të japim votën për kandidatit për kryeministër, Glauk Konjufca. Ne si grup parlamentar multientik i kemi 8 vota për zotin Konjufca. Edhe pse nuk janë të mjaftueshme votat tona, unë besoj se deri në afatin e përcaktuar me kushtetutë do të gjendet një zgjidhje dhe do ti kemi numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë”, ka thënë ai.

Pas propozimit nga VV-ja si mandatar i dytë për formimin e qeveris së re, deputeti Konjufca ka thënë se nuk do të angazhohet për krijimin e ndonjë koalicioni me partitë e ish-opozitës.

“Nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike, ideja ka qenë me kriju një qeveri të re me shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për ta miratuar buxhetin 2026”, kishte thënë Konjufca pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.

Më 4 nëntor, presidentja Vjosa Osmani e kishte dekretuar deputetin Glauk Konjufca si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Në njoftimin për media, ajo kishte bërë me dije se një veprim të tillë e kishte ndërmarr duke u bazuar në nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Veprimi i presidentes Osmani për të nominuar Konjufcën pa i pasur votat e nevojshme është kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile.

Hapi i saj është parë si veprim në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në shërbim të agjendës së Albin Kurtit për t`i zvarritur sa më shumë zgjedhjet e reja.