Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike pa paralajmërim, duke u përballur me çmime shumëfish më të larta.
“Kishim njoftim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që me 1 qershor të gjitha bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur,” tha Rafuna, duke theksuar se kjo i zuri kompanitë në befasi. “Bizneset nuk ishin të përgatitura. Disa kishin nisur investime në zgjerim, e u detyruan t’i ndalin dhe t’i orientojnë drejt paneleve solare e baterive.”
Sipas tij, mungesa e konkurrencës në tregun e lirë krijoi hapësirë për monopole.
“Në atë kohë, KEK-u s’furnizonte, NOA refuzoi, dhe vetëm KEDS përmes KESK mbeti furnizues. Çmimi i energjisë u rrit 200 deri në 400 për qind krahasuar me më herët”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
– YouTube www.youtube.com
Rafuna theksoi se Oda nuk është kundër tregut të lirë, por kundër mënyrës si u zbatua.
“Nuk jemi kundër daljes në treg të lirë, por kemi kërkuar shtyrje proces transparent dhe dialog publik-privat që të mos dëmtohen bizneset, ka thënë Rafuna në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të dorëzohet, duke kujtuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për padinë e ngritur kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Ai ka shtuar se cmimi i rrymës po e mbyt prodhimin vendor dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve vendore.
“Çmim i energjisë elektrike është kosto operative për biznesin dhe ajo kalkulohet në çmimin final të produktit. Me automatizëm, produkti ynë del më i shtrenjtë se ai i importuar,” tha Rafuna.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe konsumatorët.
“Qytetari ka mundësi me zgjedhë produkt më të lirë me kualitet të ngjashëm – dhe çka ndodh? Ai e merr produktin e importuar. Kjo e mbyt prodhimin vendor.”
Sipas Rafunës, pasojat janë të dukshme.
“Prodhuesit vendor janë shumë të shqetësuar, sepse jo vetëm që nuk mund ta rrisin prodhimin, por po e kanë të vështirë edhe ta mbajnë sasinë aktuale në treg.”
Në fund, ai theksoi se shpresa e bizneseve është në vendimin e Gjykatës Supreme dhe në dialogun institucional për përcaktimin e një periudhe të re për tranzicionin në tregun e lirë të energjisë.
Rafuna ka folur edhe për investimet e huaja, buxhetin etj.












