Brukseli kritikon arsimin, Qeveria shpërndan 100 euro: 15-vjeçarët e Kosovës, 4.5 vjet prapa BE-së

Në të njëjtën javë kur Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ua shpërndau nga 100 euro studentëve të Kosovës, Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Kosovën, i cili zbardh një realitet krejt tjetër për arsimin në vend, një sistem në rënie të vazhdueshme, me rezultate alarmante dhe mungesë të investimeve, shkruan Demokracia.com.

Në seksionin për arsim të raportit thuhet se 15-vjeçarët nga Kosova janë për 4.5 vjet prapa bashkëmoshatarëve të tyre në Bashkimin Evropian, për sa i përket mësimnxënies, duke u bazuar në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2022. Ky hendek mes Kosovës dhe vendeve të BE-së është një prej më të mëdhenjve në rajon.

Raporti thekson se, ndonëse buxheti për arsimin e hershëm është rritur për 9 për qind, financimi për arsimin bazik ka rënë me 4.7 për qind në vitin 2024, krahasuar me një vit më parë. Sipas Komisionit, kjo rënie tregon mungesë prioriteti për arsimin bazë, pikërisht në nivelin ku ndërtohen themelet e zhvillimit arsimor.

“Pas zhvillimeve pozitive në arsimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijërisë, Ministria e Arsimit ka filluar zbatimin e klasës së detyrueshme parashkollore (fëmijët 5 vjeç) për vitin akademik 2024/2025. Edhe pse Kosova po bën përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit bazë, zbatimi i strategjisë së arsimit të Kosovës për vitet 2022-2026 mbetet prapa,” – thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.

Në të njëjtin raport theksohet se cilësia e arsimit bazik dhe parauniversitar mbetet e ulët, me mungesë të rezultateve konkrete në reformimin e kurrikulës, digjitalizimin e mësimdhënies dhe trajnimin e mësimdhënësve.

Në këtë kontekst, vendimi i Qeverisë Kurti për t’u shpërndarë nga 100 euro studentëve vetëm tri ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale është parë si masë e përkohshme dhe populliste, që nuk adreson në asnjë mënyrë problemet strukturore të arsimit.

Shpërndarja e këtyre fondeve, në vlerë totale prej rreth 6 milionë euro, është prezantuar nga qeveria si pjesë e “Pakos për Ringjallje Ekonomike”. Megjithatë, fakti që pagesat u ekzekutuan në prag të balotazhit zgjedhor ka hapur dyshime për qëllime elektorale.

Ndërsa Qeveria në detyrë shpërndan ndihma të njëhershme, Raporti i Progresit dokumenton rënie të qëndrueshme të cilësisë së arsimit dhe mungesë të rezultateve në zbatimin e strategjisë arsimore 2022–2026.

Pra, kontrasti mes politikave afatshkurtra që shpërndajnë para për vota dhe raporteve ndërkombëtare që paralajmërojnë regres arsimor tregon se sistemi arsimor në Kosovë po përballet me krizë të thellë. /Demokracia.com/