Cili ka qenë trajneri më i përpiktë në aspektin taktik gjatë karrierës së tij si futbollist? Kush i qëndronte më afër në çdo detaj? Cesc Fabregas, aktualisht trajner i Como, ish-mesfushor i Chelsea, Arsenal dhe Barcelona, e tha pa hezitim: “Antonio Conte”. Pjesa më e madhe e trashëgimisë që Fabregas ka marrë nga ish-trajneri i tij te Chelsea lidhet pikërisht me vëmendjen ndaj detajeve të vogla në fushë, që nga pozicionimi deri te mënyra e mbulimit të kundërshtarëve.
“Na bënte të shikonim shumë video, shumë analiza, shumë stërvitje 11 kundër 0, gjithmonë me kujdes për çdo detaj, – kujton Fabregas. – Pa dyshim ishte një nga trajnerët më të ngarkuar me taktikë dhe strukturë”. Spanjolli përmend edhe një shembull konkret nga periudha e përbashkët me Conte (2016–2018), ku së bashku fituan Premier League dhe “FA Cup”: “Punonim shumë me sistemin 3+2, pra me mbrojtje me 5. Me të stërviteshim pafund mbi këtë skemë”.
Fabregas pranon se kjo “mani taktike” e Contes e ka ndikuar edhe në mënyrën si drejton skuadrën e tij sot: “Po, unë marr nga të gjithë. Gjithmonë mbaj shënim gjërat pozitive, por edhe ato që nuk më pëlqenin, që t’i kem parasysh si trajner. Ka ditë që duhet të bësh gjëra që të pëlqejnë, ditë të tjera duhet të bësh ato që nuk të pëlqejnë aq shumë”. Në fund, Fabregas e përmbylli me një kompliment për ish-trajnerin e tij: “Marr shumë gjëra nga të gjithë ish-trajnerët e mi, por Antonio është një nga më të mirët, pa diskutim”.
The post “Conte, një nga trajnerët më të fiksuar pas taktikës”. Rrëfehet Fabregas: “Kam mbajtur shënime prej tij” appeared first on Telesport.












