BE-ja ua ndez “llambën” palëve për obligimet e dialogut

Qeveria në detyrë ka qëndruar e heshtur sa i përket kërkesës së ritheksuar të Bashkimit Evropian rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e paraqitur së fundmi në raportin e progresit për Kosovën.

Në këtë raport BE-ja e ka bërë të qartë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja bazike si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Kosova si dhe njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia.

Ish-diplomati Blerim Canaj, vlerëson se pa themelim të Asociacionit Kosova nuk mund të integrohet në BE. Sipas tij, tashmë është e qartë se e gjitha rruga evropiane e Kosovës por edhe e Serbisë është e kushtëzuar me përparimin në dialog.

“Nëse na arrijmë ta ri negociojmë atë çka është negociuar nga Kurit në Bruksel për shkak ne baze të atij zotimi asociacioni ekziston dhe duhet veten zbatim por ai ka kaluar vijat e mendura ame herët ne kemi një far asociacioni tani i cili ka kompetenca ekzekutive … Dialogut s’mund t’i ikim as asociacionit  por tani është çështje se si ne i qasemi. Duket që pa asociacion s’ka rrugë drejt integrimit. Për këtë duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë asociacioni do të bëhet. S’mund t’i ikim. Vazhdojmë të mos kemi përparim në gjithë proceset e tjera”, tha Canaj për rtv21.

Edhe në Grupin për Studime Juridike dhe Politike thonë se çdo përparim drejt integrimit Evropian për Kosovën është i ndërlidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Por sipas hulumtuesit Besar Gërgi, pozitive në dialog është qasja balancuese e përfaqësuesve aktual të BE-së ndaj palëve.

“Do të jetë vështirë të ikim nga ky obligim çdo përparim në proces integrimit do të lidhet me asociacionin. Duhet të jemi të  kujdesshëm sa i përket bashkëpunimit me ve qe te mos penalizohemi në aspekte tjera për shkak te dialogut. Po fatkeqësisht kjo do ndodh si për Kosovën si për Serbinë  në rast se nuk ka përparim ne dialog…progresi ne dialog është përcjellë me progres në integrime evropiane. Andaj është një barre e madhe për vendin dhe nuk i ikim dot”, tha Gërgi.

Bashkimi Evropian ka thënë se si Kosova ashtu edhe Serbia rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit në procesin e dialogut, kusht ky thelbësor për  rrugën evropiane të të dyja palëve.