Anna Krasniqi fiton Grand Prix në Itali

Nxënësja e Shkollës së Muzikës “Amadeus” në Prishtinë, Anna Krasniqi, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare të muzikës, duke fituar Grand Prix dhe çmimin “Jimmy Fontana” në festivalin Hybla Music Contest në Itali, transmeton albinfo.ch.

Ky triumf i jep asaj të drejtën të incizojë një album në Romë, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e saj artistike.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka përgëzuar talentet e reja dhe shkollën “Amadeus” për suksesin e arritur:

“Kënaqësi të shohim talentet e reja nga Prishtina që depërtojnë dhe dalin fituese në gara ndërkombëtare të muzikës, duke lartësuar emrin dhe figurën e Kosovës. Urime nxënëseve, prindërve dhe shkollës, dhe shpresojmë që sukseset nuk do t’ju ndalen kurrë,” — u shpreh Çeku.

Përveç Annës, edhe nxënëset Eda Tuli, Lyra Aryal, Emabelle Shabani dhe Maja Idrizaj u vlerësuan me çmime, duke dëshmuar talentin, pasionin dhe përkushtimin e brezit të ri të muzikantëve kosovarë.

Ky sukses përforcon reputacionin e Shkollës së Muzikës “Amadeus” si një nga institucionet më të dalluara në zhvillimin e talenteve të rinj në fushën e artit muzikor dhe dëshmon potencialin e madh që kanë artistët e rinj të Kosovës për të shkëlqyer në skenat ndërkombëtare.

https://www.facebook.com/share/17ggXFpBjb/?mibextid=wwXIfr