Partnerët po përgatisin paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën – thotë Zelensky

Partnerët po përgatisin paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e tha këtë në fjalimin e tij të përditshëm me video, sipas Ukrinform.

“Ne po përgatisim marrëveshje me partnerët evropianë mbi aftësitë tona të reja në mbrojtje dhe operacione aktive. Në javët e ardhshme – në nëntor – do t’i finalizojmë ato. Do të ketë paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën”, tha Zelensky.

Ai shtoi se po bëhen edhe përgatitje për një marrëveshje në lidhje me aftësitë ushtarake të Ukrainës.

Ndërkohë ai ka bërë të ditur se financimi do të rritet për brigadat dhe korpuset që janë në vijën e parë të frontit.

“…Ne do të rrisim fondet për brigadat, do të rrisim fondet për korpuset që janë në vijën e parë, në betejat më të ashpra”, ka thënë Zelensky.

Ai shtoi gjithashtu se zyrtarët qeveritarë duhet të zgjerojnë aftësinë e ushtrisë për të blerë pajisjet, makineritë dhe komponentët e nevojshëm.