Xhandarmëria serbe hyri në Kosovë edhe më 15 tetor, publikohen pamjet

Ushtarë të armatosur të xhandarmërisë serbe kanë kaluar kufirin në fshatin Rakinicë të Podujevës, duke hyrë në territorin e Kosovës më 15 tetor. Këtë incident e ka konfirmuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Pamjet janë publikuar  nga TV Dukagjini, i cili posedon që nga mesi i tetorit një video ku shihen forcat serbe teksa kalojnë kufirin në pjesën veri-lindore, saktësisht në afërsi të Orllanit.

“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Mediumi  ka kërkuar konfirmim nga Policia e Kosovës që nga data 20 tetor, por ky institucion nuk ka kthyer ende përgjigje. Heshtje ka pasur edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Banorët e zonës, të cilët kanë filmuar ngjarjen, kanë konfirmuar për televizionin hyrjen e ushtarëve serbë, megjithëse nuk kanë pranuar të deklarohen publikisht.

Sipas tyre, gjatë incidentit, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë ofenduar dhe sharë banorët, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar edhe traktori.

Ditë më parë  xhandarmëria serbe hyri në territor të Kosovës në veri, kidnapoi një qytetar dhe u largua.