Kusari: Mospagesa e punëtorëve të RTK-së është tallje me 700 familje

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas protestës së dhjetëra punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), të cilët të enjten kërkuan pagesën e pagave të vonuara dhe paralajmëruan grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Në FIVE në TV DukagjinI, Kusari e cilësoi situatën si “presion politik përmes presionit financiar” nga ana e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Sipas Kusarit, Qeveria ka pasur të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar pavarësinë financiare të transmetuesit publik që nga fundi i vitit të kaluar, por nuk e ka bërë këtë.

“Mossigurimi i buxhetit nga ana e qeverisë është formë e presionit. Përmes presionit financiar. Ku kryeministri në detyrë Albin Kurti me qeverinë e tij po vazhdon me u tallë me 700 punëtorë të RTK-së. Edhe me 700 familjet e tyre, duke mos i transferuar buxhetin e nevojshëm për paga. Deri më tani prej fundit ë vitit të kaluar, Qeveria i ka pas të gjitha mundësit ligjore që t’i sigurojë pavarësinë financiare dhe të përgjithshëm, gjë që se ka bërë. Jemi në ditën e 6 të mospagesës së pagave. Që është formë e presionit politik përmes presionit financiar që po ushtrohet nga qeveria Kurti”, ka thënë Kusari.