Shtesat për studentë, Cakolli: Qeveria po e përdor paranë publike si instrument elektoral

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas ekzekutimit të pagesës prej 100 eurosh për studentë, vetëm tri ditë para balotazhit të zgjedhjeve lokale. Ai e ka quajtur këtë veprim “vijimësi të skemës së keqpërdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”.

Sipas tij, viti akademik ka nisur më 15 shtator dhe, nëse qëllimi do të ishte vërtet mbështetja e studentëve, ndihma do të ishte ndarë atëherë — jo tani, në prag të zgjedhjeve.

“Edhe pse, për një qeveri në detyrë, s’do të ishte e ligjshme as atëherë”, ka shkruar Cakolli, duke shtuar se problemi më i madh është “normalizimi i shkeljeve të ligjit nën arsyetimin se janë në të mirë të qytetarëve”.

Ai ka paralajmëruar se mungesa e reagimit ndaj këtyre veprimeve rrezikon t’i kthejë ato në praktikë të zakonshme.