Barcelona nuk mori dot më shumë se një pikë në transfertën ndaj Club Brugge, e vlefshme për raundin e 4-të në Champions League. Megjithatë, katalanasit mund të kishin dalë edhe pa pikë fare, po të mos ishte anulluar goli i Romeo Vermant në minutat shtesë.
Hansi Flick nuk e ka fshehur dot pakënaqësinë ndaj ekipit të tij, për paraqitjen e bërë ndaj Club Brugge. Trajneri gjerman ka qenë shumë i mërzitur për gabimet në mbrojtje, veçanërisht me Jules Kounde, i cili u kritikua ashpër për një paraqitje që mund të kishte kushtuar edhe më shumë se barazimi.
Kounde, duke luajtur si mbrojtës i djathtë, theu vijën e pozicionit të jashtë loje për golin e parë të Brugge, një gabim që shqetësoi ekipin dhe frustroi Flick.
Përpjekja e tij për të korrigjuar gabimin me një gjuajtje që goditi traversën nuk ishte e mjaftueshme për të balancuar një performancë të paqëndrueshme. Trajneri gjerman u shpreh i pakënaqur me mungesën e përqendrimit të lojtarëve të tij dhe paralajmëroi se “nuk mund të fitosh duke u mbrojtur kështu”.
Nuk është hera e parë që Flick ka ankesa për Kounde, ndaj jo më kot drejtuesit e klubit po mendojnë për të bërë një përforcim në krahun e djathtë të mbrojtjes gjatë merkatos së ardhshme. Emri më i përmendur deri tani është Daniel Munoz i Crystal Palace.
The post Flick lë të nënkuptohet se ky lojtar ishte fajtori kryesor për dështimin ndaj Club Brugge appeared first on Telesport.











