Analisti Shenoll Muharremi ka bërë me dije se veprimi i Vjosa Osmani për të nominuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë është bast i rrezikshëm i shefes së shtetit.
Ai ka vlerësuar se nëse Konjufa nuk do të mund t`i sigurojë votat për kryeministër, dekretimi i presidentes Osmani do të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj politike.
Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se nëse Konjufca bëhet kryeministër, dekretimi i Osmanit do të shihet si vizionar.
“Nëse Glauk Konjufca arrin me fitu shumicën dhe me formu qeverinë e re të Kosovës, Presidentja Osmani do të fitojë. Vendimi i saj për një rast të dytë për LVV (pa pasur fakte se i kanë numrat) do të jetë i drejtë, i guximshëm dhe me vizion. Por nëse LVV nuk arrin me formu qeverinë, vendimi i Osmanit me vazhdu me zvarritje do të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën dhe potencialisht për të ardhmen e saj politike. Ka qenë një bast i madh dhe një moment pivotal me ja ofru përsëri rastin LVV-së për formimin e qeverisë, pa demonstru që i kanë votat e nevojshme”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Situata bëhet edhe më e sikletshme kur kryetarët e partive, nga ku duhet të sigurohen votat, ishin në takim direkt me të dhe i treguan qartë që nuk ka vota për Konjufcën. Vetëm sa nuk e lutën mos me vazhdu me zvarritje, por Osmani i injoroi rezultatet e takimeve dhe vendosi ndryshe. Tash ajo po akuzohet se po i ndihmon Albin Kurtit me vazhdu me zvarritë procesin dhe bllokadën institucionale, jo për interesa të qytetarëve dhe Kosovës, por për interesa personale që lidhen me dëshirën për pushtet absolut. Edhe më keq, nëse Konjufca dështon, kjo konfirmon që Presidentja nuk po e luan rolin neutral por po mban anë politikisht. Kjo mund ta dëmtojë seriozisht kredibilitetin e saj dhe ambiciet politike në të ardhmen e afërt”, ka shkruar ai.












