Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, i cili do të zhvillohet të dielën, më 9 nëntor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për “Front Online” se gjatë ditës së shtunë do të shpërndahen fletëvotimet dhe materialet e tjera zgjedhore në komunat ku do të mbahet raundi i dytë.
“Jemi në përmbyllje të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 9 nëntor. Të gjitha aktivitetet po zhvillohen sipas planifikimit dhe të shtunën do të bëhet shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha komunat përkatëse, përfshirë fletëvotimet dhe pajisjet tjera të nevojshme për procesin e votimit”, deklaroi Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në këtë raund do të kenë të drejtë vote 1,316,672 qytetarë të shpërndarë në 18 komuna të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet do të mbahen në komunat: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime – prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra (nga një për secilën komunë) me 20 vendvotime të dedikuara për votimin me kusht.












