Thaçi do të ankohet në Kushtetuese pasi Apeli ia refuzoi kërkesën për veçim të procedurës dhe shtyrje të gjyqit

Ish-presidenti Hashim Thaçi, përmes përfaqësueses së tij ligjore Sophie Menegon, ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ky hap vjen pasi Gjykata e Apelit ka refuzuar mocionet e paraqitura nga mbrojtja për veçimin e procedurës dhe kundërshtimin e vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij, duke vlerësuar se ato nuk bien ndesh me juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Vendimi i Apelit është marrë më 28 tetor 2025, por mbrojtja pretendon se ky vendim nuk ka adresuar shkeljet e pretenduara të të drejtave të Thaçit.

Për këtë arsye, ekipi mbrojtës njofton se do të përdorë të drejtën për t’iu drejtuar Kushtetueses, para se çështja të kalojë për shqyrtim nga trupi gjykues. /Klankosova.tv