Gjykata ia rrëzon padinë për shpifje Elbert Krasniqit ndaj Veton Berishës

Gjykata në Pejë ia ka rrëzuar padinë për shpifje Elbert Krasniqit ndaj Veton Berishës.

Njoftimi:

Refuzohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit Elbert Krasniqi për shpifje

Pejë, 06 nëntor 2025 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, ka refuzuar pjesërisht si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruar nga paditësi Elbert Krasniqi kundër të paditurit Veton Berisha, të dy me vendbanim në Komunën e Pejës, në çështjen kontestimore me bazë juridike shpifje.

Gjykata po ashtu ka hedhur pjesërisht kërkesëpadinë si të palejuar (pasafatshme) për disa nga deklaratat e pretenduara, ndërsa ka obliguar paditësin që të paditurit t’i kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 374 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.

Kundër këtij Aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes kësaj Gjykate.