Trumpi i dërgon mesazh Mamdanit: “Respekto Uashingtonin nëse do të kesh sukses”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me kryetarin e sapozgjedhur të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, por paralajmëroi se ai duhet të tregojë “respekt ndaj Uashingtonit” nëse dëshiron të ketë sukses në detyrë.

Deklaratat e Trumpit erdhën të mërkurën, një ditë pasi Mamdani prezantoi ekipin e tij të tranzicionit, pas fitores historike që e bëri kryetarin e parë mysliman dhe me origjinë nga Azia Jugore të qytetit më të madh në SHBA.

Në një intervistë për “Fox News”, Trump e cilësoi deklaratën e Mamdanit, se do t’i qëndrojë kundër presidentit ,si “një deklaratë të rrezikshme”.

“Ai duhet të jetë pak më respektues ndaj Uashingtonit, sepse nëse nuk është, nuk ka shanse të ketë sukses,”  tha Trump, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë fushatës, Trump e kishte sulmuar shpesh Mamdanin, duke e quajtur “komunist të çmendur” dhe kishte kërcënuar se do t’i priste fondet federale qytetit nëse ai fitonte zgjedhjet.

Por Mamdani e ka mohuar etiketën e komunistit, duke theksuar se ai është socialist demokratik. Programi i tij përfshin kujdes fëmijësh falas, transport publik pa pagesë dhe dyqane ushqimore të menaxhuara nga shteti.

Në fjalimin e tij të fitores, Mamdani iu drejtua vetë Trumpit, duke i thënë: “Zoti President, ndiz zërin e televizorit ,sepse kjo është mënyra se si fitohet kundër teje.”

Mamdani do të marrë detyrën më 1 janar 2026, në krye të një qyteti me rreth 8.5 milionë banorë.