Komisioni Evropian të martën (4 nëntor) publikoi raportin për Kosovën, për vitin 2025, ku përgjatë fushave të ndryshme ka folur edhe rreth medieve si dhe Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM).
Fillimisht, KPM-ja përmendet tek gjetjet kryesore në lidhje me demokracinë, ku thuhet se ky Komision është përballur me vështirësi në ushtrimin e mbikëqyrjes si rregullator për shkak të problemeve të vazhdueshme të qeverisjes. Kurse, si çështje tjetër shqetësuese, në Raport thuhet se është përgjigja joadekuate ndaj dezinformimit zgjedhor dhe ndërhyrjeve të huaja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërkaq, sa i përket lirisë së shprehjes, raporti thekson se Kosova ka një nivel të caktuar të përgatitjes dhe se nuk ka bërë ndonjë progres.
Lidhur me këtë, theksohet se Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin e ri për KPM-në për shkak se dispozitat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së u konsideruan si jokushtetuese, duke rrezikuar pavarësinë e këtij institucioni.
Ndërkaq për hapësirën mediatike, thuhet se përballet me sfida që lidhen me transparencën në pronësinë e medieve dhe qëndrueshmërisë financiare.
“Kosova ka një nivel të caktuar të përgatitjes dhe nuk ka bërë progres. Gjykata Kushtetuese anuloi Ligjin e Komisionit të Pavarur për Media, duke i dhënë autoriteteve udhëzime të qarta për të siguruar hartimin e menjëhershëm të një ligji të ri. Përderisa, hapësira mediatike është pluraliste, ajo përballet me sfida që lidhen me transparencën në pronësinë e medias dhe qëndrueshmërinë financiare. Mjedisi në veri të Kosovës mbetet kufizues, duke nxitur vetëcensurë midis publikut, medias dhe shoqërisë civile”, thuhet në Raport.
Sa i përket KPM-së, në Raportin për vendin rekomandohet se Kosova duhet që të miratojë dhe zbatojë një Ligj të ri për KPM-në. Për këtë ligj, thuhet se është thelbësore që të harmonizohet plotësisht me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.
Në Raport, nuk mbeti pa u përmendur edhe ndryshimi i Rregullores së Punës së KPM-së, për të cilën u tha se krijoi kushtet për zëvendësimin e kryetarit para përfundimit të mandatit të tij.
Më tej, KPM përmendet edhe kur flitet për funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformës së administratës publike, gjegjësisht për demokracinë apo zgjedhjet.
Në këtë fushë, KPM së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmendet si institucion që ka qenë subjekt i presionit politik.
Për mjedisin mediatik, thuhet se mbeti i polarizuar e me disa medie të akuzuara për anshmëri partiake, ndërsa për KPM-në thuhet se dështoi të veprojë ndaj shkeljeve të medieve gjatë fushatës, për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje.
Ndërsa, për mjedisin mediatik, thuhet se u përball me përpjekje për dezinformim zgjedhor nga burime të brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë fushata dezinformuese nga medie të lidhur me Rusinë.
“Mjedisi mediatik mbeti i polarizuar, me disa media të akuzuara për anshmëri partiake, ndërsa KPM-ja dështoi të veprojë ndaj shkeljeve të mediave gjatë fushatës për shkak të mungesës së kuorumit vendimmarrës. Mjedisi mediatik u përball me përpjekje për dezinformim zgjedhor nga burime të brendshme dhe të jashtme, përfshirë fushata dezinformuese nga media të lidhura me Rusinë si RT Balkan dhe Sputnik Srbija”, thuhet në raport.
Sa i përket zbatimit të ligjit, në fund, Raporti thotë se funksionaliteti i KPM-së vazhdon të jetë shqetësues.
“Në janar 2025, KPM-ja mbeti pa kuorum të nevojshëm dhe deri në maj numri i anëtarëve u zvogëlua në vetëm dy, gjë që pamundësoi vendimmarrjen, përfshirë gjatë fushatës zgjedhore. Bordi i Ankesave të KPM-së mbetet pa kuorum që nga nëntori 2023. Kjo situatë kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Kuvendit të sapoformuar për ta adresuar këtë çështje”, thuhet në Raport.
Sa i përket çështjes së ndryshimit të rregullores së punës së KPM-së, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte ushtruar padi ndaj KPM-së, lidhur me ndryshimin e Rregullores së Punës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ndërsa, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e IKD-së, duke e shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.
Gjithashtu, edhe sa i përket çështjes së Ligjit të ri të KPM-së. IKD kishte publikuar raportin “Politizimi i KPM-së”, ku kishte gjetur se pavarësia e garantuar me Kushtetutë për një institucion të pavarur si KPM, tjetërsohet në varësi të këtij institucioni ndaj partisë në pushtet. Ndër të tjera, raporti trajtoi çështjen e procedurës së shkarkimit dhe bazat për shkarkimin e anëtarëve të KPM.
Në raport konstatohej se “dispozitat që kanë të bëjnë me procedurën e shkarkimit dhe bazat për shkarkimin e anëtarëve të KPM-së cenojnë në thelb sigurinë juridike të anëtarëve të KPM-së dhe e shndërrojnë KPM-në nga një institucion të pavarur në një institucion literalisht vartës të Kuvendit. Kjo situatë pos cenimit të të drejtave individuale të anëtarëve të KPM-së cenon në thelb pavarësinë e kërkuar për institucionet e pavarura kushtetuese, ku bënë pjesë edhe KPM. Si të tilla, këto dispozita janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, IKD trajtoi edhe çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të KPM-së. Lidhur me këtë, thuhej se Qeveria, e cila ka shumicën në Kuvend, e ka në dorë si procedurën ashtu edhe votimin e anëtarëve të KPM-së
Kështu, IKD vlerësonte se kjo situatë qartazi e vendos KPM-në në mungesë të pavarësisë objektive për funksionimin e saj.
“Për këtë arsye, shumica e kërkuar dhe procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të KPM cenojnë pavarësinë kushtetuese që i garantohet KPM, duke e shndërruar këtë institucion të pavarur kushtetues në një institucion praktikisht vartës të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhej tutje në raport.












