Barcelona doli nga Bruzhi me barazimin 3-3, që la më shumë dyshime sesa përgjigje. Frenkie de Jong, një nga liderët blaugrana, nuk i fshehu kritikat pas një ndeshjeje ku dolën në pah problemet e zakonshme mbrojtëse të skuadrës: “Ishte një ndeshje që duhej ta kishim fituar, prandaj duhet t’i bëjmë gjërat shumë më mirë”.
Barça vuajti sërish në kundërsulme dhe në duelet e hapësirave të mëdha, një aspekt që sezonin e kaluar e kishte zgjidhur me organizim dhe linjë të lartë mbrojtjeje. De Jong nuk e anashkaloi analizën: “Jemi pak të dobët në kundërsulme, në mbulimet, në presionin e lartë, në mënyrën si pozicionohemi prapa… Ka pak nga gjithçka që nuk shkon”.
Mesfushori theksoi se skuadra është e vetëdijshme për këto probleme: “Ka gjëra që duhet t’i rregullojmë. E dimë dhe po punojmë për to”. Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të jetojnë me kujtimet e sezonit të kaluar: “Ajo që ndodhi sezonin e kaluar duhet të mbetet pas. As atëherë nuk ishim skuadra më e mirë në Europë. Duhet të përmirësohemi, sepse as atëherë nuk e fituam Championsin dhe pësonim shumë gola”.
Kur u pyet nëse gjithçka lidhet me mbrojtjen, De Jong u tregua i drejtpërdrejtë: “Nuk është vetëm ajo, por nëse pëson tre gola… bëhet e vështirë fitorja”. Ndër të paktat lajme pozitive të mbrëmjes ishte rikthimi në formë i Yamal, protagonist dhe vendimtar. “Po, ai ishte shumë mirë. Është një lojtar special dhe gjithmonë bën diferencën, – tha De Jong. – Mund të ketë ndonjë ndeshje më të mirë ose më të dobët, por nëse vazhdon të punojë kështu, s’duhet të shqetësohemi për nivelin e tij”.
The post Frenkie de Jong: Nëse pëson tre gola, është e vështirë ta fitosh ndeshjen appeared first on Telesport.












