Kosova thekson kse Serbia vazhdon të pengojë procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka kontestuar gatishmërinë e shprehur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të zbatuar obligimet që rrjedhin nga procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e Kryeministrit, ka thënëpër shtypin në Prishtinë se realiteti i tanishëm dëshmon se Beogradi vazhdon të jetë destruktiv në proces, duke penguar zbatimin e obligimeve të dialogut, përfshirë edhe marrëveshjet që kanë karakter urgjent humanitar, sikurse ajo për personat e zhdukur me dhunë.
“Serbia e ka shansin dhe rastin të bashkëpunojë sa herë ka takime edhe trepalëshe në Bruksel, por herën e fundit në shtator pamë se edhe refuzojnë të diskutojnë, duke u larguar nga takimi. Serbia e ka shansin që të avancojmë me Marrëveshjen Bazike, por as nuk e ka pranuar atë dhe as ka ofruar komente konstruktive mbi planin e zbatimit”.
Në një takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, presidenti serb deklaroi se është i gatshëm të ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e marrëveshjeve dhe se ka vullnet për lëshime në dialogun me Kosovën.
“E përqendruam vëmendjen në hapa konkretë, zbatim të plotë e konsistent të marrëveshjeve, në uljen e tensioneve në terren dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe të sigurisë së popullit serb në Kosovë”, theksoi ai pas takimit me Sorensenin.
Ngërçi institucional në Kosovë dhe tensionet në Serbi kanë bllokuar tash e një kohë çdo lloj progresi në dialog. Në këtë situatë, përfaqësuesit e BE-së, kur pyeten rreth procesit, përsërisin se BE-ja do të presë raundin e ri të dialogut, sapo palët të sinjalizojnë gatishmëri dhe vullnet për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve.












