Nga 2016-a e deri më sot, në Kosovë, Austri e Zvicër, është derdhur bojë për plot njëmbëdhjetë raporte vendore e të huaja. Ato përbëjnë një lëndë mijërafaqëshe me fotografi, prova, dëshmi e shqyrtime turlifare. Me sa duket, Dosja D, nëse kështu do të quhej rasti i Astrit Deharit, është ana më e zezë e partisë në pushtet e cila kërkon të legjitimohet përmes “dëshmorëve” të saj. Për pesë vite në pushtet, Vetëvendosja nuk ofroi prova as sa të zitë e thoit për të vërtetuar ‘vrasjen’ e pretenduar. Nëse publikisht kjo parti e shfrytëzon secilin 5 nëntor për të shkrehur akuzat e vjetra, aktivistë e ish-aktivistë në rrethe private nuk i thonë këto. Shumë prej tyre pajtohen pikëpërpikë me atë që Prokuroria e zbardhi qysh më 2016: Dehari kreu vetëvrasje. Sekush e tërhoqi një krahasim me drejtuesit e grupit terrorist gjerman të Ushtrisë së Kuqe (RAF), të cilët u burgosën në Stammheim. Historianët shkruajnë se ata e kultivuan me kujdes imazhin e të keqtrajtuarit në burg, ndaj edhe kur kryenin vetëvrasje, e paraqisnin në një mënyrë të atillë që të dukej si vrasje. Të gjitha këto janë hedhur poshtë, por terroristët e RAF-it për do kohë gëzuan statusin e dëshmorit në radhët e rinisë gjermane. Por ç’thonë dokumentet?
Col MEHMETI
5 nëntor 2025 – Ora 13:53. Në korridor u dëgjua kërkëllima e thatë e mbylljes së derës së qelisë ‘A3’.
Qetësia sakaq e shtriu pushtetin e vet të përhershëm në katin e dytë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Gjithnjë e më pak dëgjohej potera dhe hapat e të burgosurve që të meziduruar zbrisnin shkallëve për shëtitjen e pasditës.
Duket si një tjetër ditë në jetën e burgut që lëvrin në rutinën e saj me orare të caktuara, kërkëllima shulash e çelësash, zëra të burgosurish, urdhra gardianësh.
Në qelinë A3, të mbyllur së jashtmi, po ngjan diçka e rëndë. Vetëm muret e pazë janë dëshmitarë.
Fill pas një ore, disa të burgosur sprapsen kur e hapin derën e qelisë.
I platitur për tokë e me duar të hapura ndodhej i pavetëdije Astrit Dehari, i vetmi që nuk doli në shëtitje atë të shtunë.
Ka lëvizje mes të burgosurish, përhumbje e tromaksje. Disa ngarendin plot shqetësim për te gardiani.
Duke hyrë mes të burgosurve që zgjatnin kryet te dera, gardiani i urdhëron të largohen dhe i avitet të riut që nuk po përmendej.
Ia largoi me të shpejtë një shishe plastike që i kishte mbetur në fyt. Me një prekje të lehtë e kuptoi se regëtimat e pulsit i dëgjoheshin ende.
Skaj tij kishte të vjellura e gjurmë gjaku. A thua çka kishte ndodhur?
Pesë ditë më vonë, raporti i Njësisë së Forenzikës së Policisë së Kosovës e përshkroi fije për pe gjithçka u gjet brenda qelisë: gjurmë gjaku kudo, një kosh mbeturinash, një sfungjer i mbështjellë me një këmishë të zezë e përdorur si peshqir, një lidhëse e kaltër, një shishe plastike me gjurmë gjaku, një shishe, një sapun me gjurmë gjaku, sytha pambyku, një brisk rroje – përbri tyre, afër krevatit, një si litar i bërë nga qese najloni.
Dera e toaletit ishte e hapur. Në pllaka gjendej një stilograf i përgjakur i lidhur me lidhëse këpucash, kurse në lavaman një brisk rroje me shenja gjaku.
“Arrest kardiovaskular”
Në ata pak minuta vijnë edhe teknikët mjekësorë, dhe me ndihmën e të burgosurve e bartin deri te salla mjekësore e Qendrës.
Mjekët i afrohen shpejt dhe vendosin një akces venoz, dhe njëri nga infermierët brofshëm bën gati adrenalinën.
Mjeku kërkon të fillojnë rianimacionin me një intubim.
Bebëzat e pacientit duken të zgjeruara e oksimetri nuk jep shenja për puls periferik a qendror.
Mjekët vazhdojnë t’i injektojnë solucion inhalimi (NaCl), por reagimet e vetme ishin ca të vjellura.
Përpjekjet rianimuese po bëhen edhe më të kota sepse pacienti nuk jep asnjë shenjtë jete.
Kur rianimimi nuk po ndryshonte gjë, shpresat dukeshin të hiçta kur shpejt e shpejt me ambulancë e nisën drejt Spitalit të Prizrenit.
Pacientit i bëhet masazh kardiak dhe me ventilim, por më 15:55 vdekja doli triumfuese mbi të gjitha përpjekjet e mjekëve. Diagnoza e dhënë: arrest kardiovaskular.
Raporti i harruar nga ‘Centre universitaire romand de médecine légale’
Krejt kjo skenë rindërtohet minutë pas minute nëse lexohet raporti katërdhjetë e katër faqesh i nënshkruar nga mjekët D. Aguiar, T. Fracasso dhe S. Grabherr nga Qendra e Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Romandisë në Laussane.
Fryt i një pune serioze, ekspertiza metikuloze e mjekëve zviceranë ishte e tillë që qëmtoi një stivë të tërë raportesh të Drejtorisë së Policisë Rajonale të Prizrenit, Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Entitetit Federal të Kriminologjisë në Ministrinë e Brendshme të Austrisë dhe Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Bashkë me këtë dokumentacion të vëllimshëm, ekipi i mjekëve zviceranë shfrytëzoi të gjitha raportet nga dosja e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ashtu sikurse edhe videot dhe fotografitë gjatë procesit të autopsisë.
Për mjekët zviceranë, përfundimi që doli nga ekspertiza e bërë ishte se “vdekja e zotit Astrit Dehari është rezultat i asfiksisë”.
Duke u shërbyer me përkufizime moderne teorike të cilat asfiksinë e përshkruajnë si “ndërprerje e furnizimit, bartjes dhe përdorimit të oksigjenit drejt organeve të trupit”, mjekët në fjalë fillimisht e përjashtuan mundësinë e vetëngulfatjes përmes një gjësendi.
Humbja e vetëdijes dhe tonusit muskulor, për shkak të ndërprerjes së gjakut të oksigjenuar në tru, i bën të pamundura manovrimet e vetëngulfatjes manuale apo asaj me litar.
Sidoqoftë, sipas mjekëve, mbetet gjithnjë e mundshme “një vetëngulfatje duke mbajtur një send në mënyrë pasive në rrugët e ajrit”, si për shembull përmes vendosjes së një lecke.
Kryepërfundimi i mjekëve zviceranë ishte se “vdekja e z. Astrit Dehari është rezultat i asfiksisë, sigurisht me ngulfatje të llojit smothering”.
Fill pas kësaj, konkluza e radhës ishte se “sendi i gjetur në gojë (shishe me mjaltë) ka mundur të përdoret për të mbyllur rrugët ajrore të zotit Astrit Dehari”.
Dhe konkluza e tretë, gjithnjë sipas ajgëtimit të mjekëve, ishte se plagët sipërfaqësore, të vërejtura në nivelin e pjesës së djathtë latero-cervikale (qafë) dhe të kyçit të majtë, “janë pasoja të traumave të provokuara nga një objekt i mprehtë dhe, sipas lokalizimit, tregojnë së pari lëndime të vetëkryera”.
Nuk ka faj përkthimi, por interpretimi
Qysh në tetor të 2019-s, posa ishte dritësuar ky raport, njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje ishin shërbyer copa-copa me të ashtu që ta trashnin pretendimin e tyre për ‘vrasjen’ e aktivistit, Dehari.
Duke e cunguar pjesën kryesore, ata e kishin shkëputur vetëm pjesën e fundit të përfundimit duke i bërë një lexim me titra sugjestive.
Në raportin original në gjuhën frënge shkruhej: “….l’hypothése d’un suicide de M. Dehari Astrit par le moyen avancé par les médicins légistes parait peu vraisembable et l’intervenation d’une tierce persone dans le processus fatal doit être évoquée”.
Ndonëse kishin bërë manovrime me fjalë herë te teksti i përkthyer e herë te ai origjinal, mjekoligjorët shkruan edhe këto radhë: “…hamendja e një vetëvrasje nga zoti Astrit Dehari, me mjetet e treguara nga mjekët ligjorë, duket e pagjasshme, kurse duhet të kihet parasysh përfshirja e një personi të tretë”.
“Pak e vërtetë” ose “ka pak të ngjarë” (në frëngjisht, peu vraisembable) nuk është mohim, ashtu sikurse edhe “duhet të kihet parasysh” (être évoquée) nuk është pohim.
Në përputhje me procedurat e fiksuara të punës, mjekoligjorët zviceranë thjesht ngritën pikëpyetje, por ishin njerëzit e Vetëvendosjes që i përthyen ato në pikëçuditëse.
Faktit të cilit i është mbyllur goja nga po e njëjta parti është dallimi tepër i rëndësishëm mes mjekësisë ligjore dhe hetimit prokurorial.
Bëhet fjalë për role të ndryshme, sado komplementare, në zbardhjen e një vdekje nëse ajo është vrasje, vetëvrasje, apo aksident.
Mjekësia ligjore ka tagër për gjetje shkencore nëpërmjet autopsisë, shqyrtimit të plagëve, toksikologjisë dhe dëshmive psikologjike.
Duke dhënë një pasqyrë përshkrimore për shkakun e vdekjes (asfiksi, traumë, helmim); mënyrën e vdekjes (natyrore, aksidentale, vetëvrasëse apo vrasje) dhe nëse plagët janë të vetëshkaktuara apo të shkaktuara nga një person tjetër, raporti forenzik mund vetëm të sugjerojë nëse vetëvrasja është e gjasshme apo e pagjasshme.
Forenzika, në asnjë rast, nuk krijon përgjegjësi penale.
Për këtë ka tagër vetëm Policia dhe Prokuroria të cilat, gjatë hetimit, mbledhin dëshmi, intervistojnë sypamës dhe bëjnë rindërtimin e ngjarjeve.
Bashkë me raportin forenzik, pasi të jenë tëholluar të gjitha dëshmitë, ato vendosin nëse vdekja ka të bëjë me vrasje, vetëvrasje apo aksident.
VV-ja e interesuar për rituale përkujtimore
Prejse e mori pushtetin më 2020, Lëvizja Vetëvendosje nuk i doli zot pretendimeve të saj se rasti në fjalë ishte ‘vrasje’ dhe as premtimit të saj se do ta vinte ‘drejtësinë’ në vend.
Paradoksalisht, në dhjetor të 2022-s, në Laboratorin e Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore u zhdukën mostrat e Astrit Deharit – ishte vendi ku supozohej se duhej të ishin në duar të sigurta.
Partia në pushtet më fort ia ka bërë hyzmetin rastit ‘Dehari’ përmes forcimit të narrativës së vjetër për gjoja vrasje. Këtë sfidim të drejtësisë e bëri përmes ritualeve të përvitshme përkujtimore, vizitave të varri dhe organizimit të ngjarjeve sportive.
Ky makabritet moral edhe sot foli me gojën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i cili nuk ngurroi të vinte shenjën e barazimit mes “vrasjes” së Deharit dhe vrasjeve që kishin ndodhur njëherë e një kohë në regjimin e Millosheviqit.
Një histori e harruar e Kurtit
Pa ndonjë sforcim kërkimor, burimi i parë dhe i vetëm për ‘vrasjen’ e Astrit Deharit është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Skenari i ‘vrasjes’ nuk citon asnjë burim e asnjë autoritet vendor a ndërkombëtar – ai është kryekreje pandehma, thashetheme e copëza paushallishte.
Në kohën kur janë bërë plot nëntë vite nga rasti, burime të NACIONALE-s kanë folur për sfondin e ditës tragjike.
Albin Kurti asokohe pëlqente të ishte eminenca gri e partisë meqë ajo formalisht drejtohej nga Visar Ymeri.
Kur selia qendrore në Prishtinë e mori vesh mandatën për rastin e Deharit, Kurti atë ditë gjendej në Norvegji tek gruaja e tij.
Në atë gjendje hutie e tronditje ku informacionet ishin fare të pakta, Sekretariati për Media u nisi një njoftim me email të gjitha qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.
“Shoku ynë, Astrit Dehari, nuk jeton më…”, shkruhej në emailin fjalëpakët.
Sapo e kishte lexuar këtë, Kurti ishte hazdisur aq keq dhe, në tërbim e sipër, i marrë në telefon aktivistët në Sekretariatin për Media.
“Pse nuk e keni shkru që e kanë vra…a e dini sa njerëz i kanë myt në burg”, bërtiste me sa kishte zë nga ana tjetër e telefonit.
Kurti i pari e përmendi skenarin e ‘vrasjes’
Dy ditë më vonë, një veturë parkoi afër KTV-së. Prej saj doli Kurti që nisi të ecte me hapa të shpejtë e në një gjendje tensioni. Nuk i pritej sa të fillonte emisioni ‘Interaktiv’ e prej aty të plaste lajmin bombë.
“Informatat e fundit që i kemi janë se ai ka përjetuar një vrasje të dhunshme në qeline e tij, e nuk bëhet fjalë për vetëvrasje”, tha ai në mbrëmjen e 7 nëntorit 2016.
Kaq do të mjaftonte që të shkëputej si ortek psikoza kolektive se Deharin e kishin vrarë në burg.
Megjithëse disa ditë më vonë u nxorën pamjet e kamerave të sigurisë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, dhe megjithëse aty nuk u pa asgjë që do të provonte vrasjen, zemërata kolektive kishte marrë dhénë.
Gjatë varrimit të Deharit në varrezat në Zllatar, në periferi të Prishtinës, Kurti mbajti një fjalim ku përmes aktivistit të vdekur nisi t’i sulmonte në mënyrë të tërthortë bashkëpartiakët.
Ky u bë sebepi i fillimit të një lufte të brendshme në Vetëvendosje: Kurti dhe të tijët që ngulmonin për vrasje e donin ta kapitalizonin si vjegëz për ta marrë pushtetin me dhunë, dhe të tjerët që kishin bindjen se Dehari u vetëvra.
Edhe komunikimet e jashtme të Vetëvendosjes mbanin frakturat e këtij konflikti: komunikatat e shkruara zakonisht ishin të matura dhe shumë-shumë i referoheshin rastit si “vdekja në rrethana të pasqaruara”.
Por, paraqitjet gjithnjë e më të shpeshta të Kurtit ishin tjetërfare. Ai nuk linte rast pa e përmendur “vrasjen e Astritit”…
Një predhë antitank…
Astrit Dehari, në të vërtetë, ishte vetëm njëri nga gjashtë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që u arrestuan paraditën e 30 gushtit të vitit 2016.
Njëzet e gjashtë ditë më parë, duke pasur si cak Zyrën Presidenciale të Hashim Thaçit, njerëz të maskuar kishin shkrepur një predhë me rakatahedhës ‘RPG’ duke goditur murin mes sallave numër 301 dhe 402 të katit të katërt të Kuvendit të Kosovës.
Rasti ishte kastiguar nga politikanë vendorë e diplomatë të huaj, e madje çuditërisht edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte hyrë në klubin e reaguesve.
“Lëvizja Vetëvendosje dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje organeve të sigurisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti”, shkroi ky subjekt në afishin që e shpërndau në media e rrjete sociale.
Thirrja e saj u përfill nga hetuesit e vyer të Policisë së Kosovës, të cilët, për mbi tre javë pune zhbiruese, mbërritën në një adresë të befaishme.
Në agimin e 30 gushtit, kur ende nuk kishte zdritur dita mirë, një shtëpi skaj rrugës ‘Lugmiri’ në Zllatar të Prishtinës po gëlonte nga plot e përplot policë që hynin e dilnin.
Prangosja e një të riu 26-vjeçar nuk do të zgjaste kaq shumë sikur në shtëpi të mos gjendej një alamet stive me armë vdekjeprurëse.
Dhe, për dreq, ato nuk ishin pak e as nuk ishin çfarëdo: aty ishte një sprej paralizues me mbishkrimin ‘NATO’, një revole e tipit ‘Crvena Zastava’ me kalibër 357, 25 fishekë të kalibrit 3.75 mm, një pushkë britanike me optikë, një kallashnikov i vitit 1984, si dhe tre karikatorë e 31 fishekë turlifare.
I arrestuari që u fut duarlidhur në njërën nga makinat e Policisë së Kosovës ishte Astrit Dehari që vinte i shkurtër nga shtati.
Tok me të, po atë ditë, përfunduan të lidhur edhe aktivistë të tjerë nga Vetëvendosja: Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi dhe Adea Batusha.
Lexo edhe: Terrori, armët e prodhimit jugosllav dhe heroizimi i gabuar
‘Beteja’ e Zllatarit mes VV-së dhe Policisë
Dosjet e gjykimit dhe rigjykimit, një odiseadë disavjeçare mes akuzuesish e të akuzuarish, kanë një dyzinë faqesh me materiale përshkruese, fotografi e prova materiale.
Por jashtë tyre ka edhe plot të pathëna që nuk janë regjistruar asfare gjatë procesit e të cilat nëpërdhëmbën vetëm në muhabete private mes aktivistësh të Vetëvendosjes.
Një e tillë duket të jetë edhe kjo dromcë: nuk kishte qenë sall kjo stivë me armë jugosllave që i djersiti gjithë ata policë. Në të vërtetë, aktivisti 25-vjeçar kishte shtënë me armë drejt tyre.
Ajo që në kriminologji quhet si smoking gun, pra prova inkriminuese që fuqishëm e ndërlidh një ose shumë të pandehur me veprën penale, u bë motoçikleta e kuqe Yamaha 125 CC.
Ashtu siç thoshte aktakuza, të pandehurit, përfshirë edhe Astrit Deharin, më 17 korrik 2016 përmes një faqeje shitblerjesh ranë në kontakt me shitësin e motoçikletës.
Pasi ishte kryer sulmi mbi Kuvend, motoçikleta ishte gjetur e djegur fare pranë parkut të Taukbashçes, ndanë stacionit elektrik. Edhe në atë gjendje, ajo ishte identifikuar fije e për pe nga pronari i dikurshëm.
Kur në gjykatë e sollën në cilësi të dëshmitarit shitësin e mjetit në fjalë, Heset Ramadanin, seanca u shndërrua në një spektakël pafytyrësie nga ana e aktivistëve të Vetëvendosjes.

Ndonëse Ramadani qe në gjendje t’i pikaste me emra e mbiemra ata që ia kishin blerë motoçikletën, të akuzuarit zgjodhën të mbroheshin duke bërë sulme nën brez.
Ata shpërdoruan atë që në praktikat ligjore quhet cross-examination, pra pyetjet që i bëhen një dëshmitari që ka dhënë tashmë dëshmi.
Sipas aktagjykimit të gjyqtarit Beqir Kalludra, “të akuzuarit janë munduar ta vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit, duke i bërë pyetje të natyrës se a ka pasur biznesin e regjistruar, a ka paguar taksa për veprimtarinë, por pa arritur t’i vënë në pikëpyetje deklarimet e tij”.
Po i njëjti gjyqtar iu kishte dhënë një dackë turinjve aktivistëve në sallë të cilët blerjen e motoçikletës e kishin bërë në mënyrë klandestine “anipse si qytetarë të Republikës së Kosovës pretendojnë se me zell mbrojnë interesat e saj, nuk kanë lidhur një akt shitblerje të vërtetuar te noteri, veprim i nevojshëm sipas legjislacionit në fuqi”.
Bashkëpunimi që kushtoi
Në të vërtetë, sipas disa burimeve të Nacionales, njëri nga aktivistët që mbahej në paraburgim vetëm sa kishte nisur të bashkëpunonte me hetuesit – bëhet fjalë për vetë aktivistin, Astrit Dehari.
Bile, ka fort të ngjarë që kjo rrethanë të ketë shkaktuar jo pak alarm brenda Vetëvendosjes dhe përpjekjeve të saj për të sajuar alibi e për ta shkatërruar procesin.
Megjithë malin e dëshmive kundër të akuzuarve ose disave prej tyre, në seancat e njëpasnjëshme plot nga dëshmitarët hoqën dorë nga dëshmitë e tyre paraprake, shenjë kjo e trysnisë së ushtruar nga Vetëvendosja.
Më 27 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë e rrahu çekanin e saj duke i shpallur fajtorë të katër të akuzuarit, të cilëve iu shqiptoi një dënim prej 21 vitesh e gjashtë muajsh burgim (Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë dhe Adea Batusha me 2 vjet).
Gjithsesi, ankesat e bëra pranë Gjykatës së Apelit mundësuan që instancat e saj të gjenin shkelje ligjore në aktgjykimin e shkallës së pare – kjo qe e mjaftueshme sa lënda të hynte nga e para në gjykim.
“Nuk u vërtetua se e kryen veprën penale”
Përballja e dytë më drejtësinë filloi në mars të vitit 2020.
Përgjatë 13 seancave me radhë dhe me 11 dëshmitarë të ftuar, Vetëvendosja tashmë dukej se e kishte fituar davanë.
Ndonjëri nga dëshmitarët, si puna e E.M, tashmë pohonin se nuk i mbanin mend deklarimet e dhëna në vitin 2016.
Më 27 dhjetor 2022, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili shpalli aktgjykimin lirues për katër të akuzuarit (Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi e Adea Batusha), pasi “nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë”.
9 vjet më vonë, dorasit e sulmit të 4 gushtit enden të lirë e me ndjesinë se ia hodhën paq shtetit të tyre që nuk i bëri dot zap. /Nacionale/












