Putin thur ‘planin’, në pushtet deri në 2050

Raportet thonë se presidenti rus po mendon edhe për t’ia kaluar fronin djalit të tij dhjetëvjeçar.

Një raport i ri nga tabloidi britanik Daily Star, që citon gazetarin rus Ilya Davlyatchin, pretendon se Vladimir Putin planifikon të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2050 – kur do të ishte 97 vjeç. Dhe pas kësaj, sipas të njëjtit burim, mund të përpiqet t’ia kalojë pushtetin djalit të tij dhjetëvjeçar, Ivan.

Nëse skenari do të realizohej – edhe pse shumë analistë e quajnë “fantashkencë politike” – Putini do të shndërrohej në një nga sundimtarët më jetëgjatë në historinë moderne, duke kaluar jo vetëm Stalinin në periudhën e pasluftës, por edhe figura si Gaddafi, Kim Il-sung dhe Fidel Castro.

Kushtetuta ruse, e ndryshuar në vitin 2020 përmes një referendumi që i rishkroi afatet presidenciale, i mundëson Putinit të qëndrojë në pushtet të paktën deri në vitin 2036. Pas asaj date, teorikisht, asgjë nuk e ndalon të kandidojë sërish, nëse ligjet nuk ndryshojnë.

Një president që nuk mendon për fundin

Putin, i cili këtë vit mbushi 73 vjeç, ka ndërtuar një sistem politik që e ka bërë pothuaj të pamundur daljen e tij nga pushteti pa pasoja të mëdha për regjimin. Në vend të një pasardhësi të qartë, Kremlini ka kultivuar një qark të mbyllur lojalistësh që mbështeten tek figura e tij për stabilitetin dhe legjitimitetin.

Por raporti i Daily Star përfshin një detaj që ka ngjallur kureshtje: djali i vogël i Putinit, Ivan, për të cilin pak dihet publikisht, përmendet si “trashëgimtar i mundshëm”.

Nëse kjo është thjesht fantazi mediatike apo një reflektim i ambicieve të vetë Putinit, mbetet e paqartë.

Fiksimi me jetën e përjetshme

Në të kaluarën, Putini është treguar i obsesionuar me idenë e zgjatjes së jetës dhe përparimeve bioteknologjike që mund të ngadalësojnë plakjen.

Raportet nga Moska flasin për interesa personale në kërkime mbi transfuzionet e plazmës dhe terapitë anti-plakje. Madje, në takime me presidentin kinez Xi Jinping, thuhet se ai ka diskutuar idenë e “jetëgjatësisë për liderët e mëdhenj”.

Kritikët e shohin këtë si shenjë të një projekti personal të përjetësisë politike, ku pushteti dhe jeta janë bërë të pandashme. “Putini nuk mendon për trashëgimi, por për vazhdimësi”, komenton Davlyatchin. “Në kokën e tij, Rusia dhe ai janë një”.