Glauk “konsensual” Konjufca merr “Jo” të madhe nga ish-opozita: për Kryetar të Kuvendit i kishte mbi 80 vota

Mbi tetëdhjetë vota llogaritej që Glauk Konjufca do t’i kishte po të propozohej për Kryetar të Kuvendit qysh në seancën e parë konstitutive të 15 prillit. Arsyet ishin të dyshtresshme: përvoja e deputetëve ish-opozitarë nga legjislatura e kaluar me të si udhëheqës i punës së parlamentit në mënyrë jopartizane, fer në trajtim, gjithpërfshirës, i njohur edhe për votime abstenuese ose kundër partisë së vet kur dilema kushtetuese mbinin mbi një filan-ligj të propozuar nga Vetëvendosje; dhe, e dyta, komunikues me taborret tjera politike në nivel personal, si përshëndetje e mirësjellje elementare, trajtë kjo e pagjetshme në mesin e deputetëve të Vetëvendosjes të njohur për agresivitet diskursiv dhe unitaritet të plotë mendjeje partiake. Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me t’u mbledhur legislatura e re, Konjufcën e quajtën “figurë konsensuale” dhe “të pranueshëm” për të qenë sërish Kryetar i Kuvendit, post ky kushtetuetshmërisht i kodifikuar për partinë e parë në rezultatin zgjedhor, ndonëse i kushtëzuar me “kompromis dhe konsensus” nga partia e parë me të tjerët: dhe assesi e imponueshme. Shtatë muaj më vonë, Konjufca është “mandatari i dytë” për formim të Qeverisë “Konjufca 1”, për çka tash të gjithë janë të një mendjeje: “Jo”. Konjufca e pranoi se votat nuk i ka, dhe se shpreson se ndokush mund ta vendos atë në udhëheqje të shtetit përmes një “bashkëpunimi”. Leximi mbizotërues, në anën tjetër, ishte se Konjufca u propozua për një shtyrje më shumë të datës së zgjedhje, në një elektoralisht të favorshme për Vetëvendosjes, me një numër më të madh të pranisë së diasporës nga fundi i fundit.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, e mandatoi Konjufcën mbi teori “të gjasës”, ndërsa i ka 64 deputetë të deklaruar te ajo vet, se nuk ka shumicë për qeveri, që ia rrëzon secilën gjasë që veprimi i saj për mandatim të jetë kushtetues. Foli për “interes të shtetit” dhe tha se është “e obliguar” që të sigurohet që “të bëjë çmos” që vendi të mos shkojë në zgjedhje, ndërsa sigurinë dhe dëshminë nuk ia kërkoi fare Glauk Konjufëcs nëse i ka votat: veç tha se “më bindi që i bën”.

Partia Demokratike e Kosovës (24 mandate në Kuvend) pas një mbledhje të Kryesisë tha se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën dhe se nominimi i tij nga Albin Kurti dhe mandatimi i tij nga Vjosa Osmani, është veçse zvarritje dhe thellim i mëtejshëm i krizës politike në vend. Zgjedhjet, thanë PDK-ja, janë e vetmja zgjidhje.

“Në këtë mbledhje u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja. Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, thanë nga PDK.

Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbajti konferencë për shtyp ku tregoi se nuk bëhet fjalë që ndonjë deputet i tij të ketë votë për një qeveri të Glauk Konjufcës ose Vetëvendosjes.

Abdixhiku tha se Glauk Konjufca, në rrethanat e tanishme politike, duhet të jetë i sinqertë me veten, më shumë, shumë më shumë se sa Kryetari i tij, dhe të konstatojë se nuk ka shumicë e as kohë për të humbur më.“Çdo përpjekje për ta zvarritur këtë proces për kalkulime të vogla elektorale, për data që në fund të ditës nuk bëjnë asnjë diference elektorale, janë përpjekje të një pushteti që nuk e lëshon dot karrigen që nuk i takon”, ka thënë Abdixhiku.

“Zvarritja e ditëve, kur e di se nuk ke shumicë, është thellim i vetëdijshëm i krizave që po na vijnë, e kështu dhe parapërcaktimit të fatit të tyre. Pas gjithë refuzimeve për unitet dhe për adresim të përbashkët shtetëror, pas tetë muajve të humbura në bllokada, pas shkeljeve të rënda kushtetuese, pas rrënimit, shtetar e demokratik, le të sillemi një herë përgjegjshëm”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka dalë kundër mandatimit të Glauk Konjufcës, ç’gjë e quajti “farsë…që duhet të merr fund” dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme. Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve.

Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike. Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haradinaj.