Haradinaj: Letra e Kurtit për Trendafilovën ishte për të larguar vëmendjen nga rasti Dehari

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po tenton të zhvendos vëmendjen nga rasti i Astrit Deharit, duke e përdorur letrën që ia kishte dërguar Ekaterina Trendfilovës, kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në vitin 2022.

Sipas Haradinajt, Kurti sot është dashur të japë përgjegjësi për rastin e Deharit.

“Ka datën 2022, por koincidon me datën e Astrit Deharit, prandaj sot ke për të zhvendosur vëmendjen nga andej. Sot është dashur të paktën të na tregojë për tetë vjet premtime, për tetë vjet që ka premtuar që ‘vrasjen’ e Astrit Deharit, vrasje që ai e ka kualifikuar si vrasje, ta zbulojë. Por përkundër kësaj, ne nuk kemi pasur ndonjë zbulim”.

“E dyta, sa për të larë sy e faqe. Dhe e treta, nuk mund të quhet punim në heshtje sepse nëse është ky në heshtje, krerët tanë do të lirohen dhe ky do të fillojë edhe tri vjet radhazi të na tregojë se çka ka bërë vit pas viti. Por ky priti tri vjet këtë ditë, priti zgjedhje, priti ditë të veçantë për të zhvendosur vëmendjen prej aty ku duhet të japë përgjegjësi”, tha Haradinaj në TV Dukagjini.

Ai ndër tjerash kritikoi Kurtin që nuk i ka vizituar asnjëherë ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Deklarata e Haradinajt erdhi pas deklaratës së Kurtit, i cili tha se nuk ka arsye ligjore apo morale që ish-udhëheqësit e UÇK-së të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë