PDK pas mbledhjes së Kryesisë: Nuk japim votë për asnjë mandatar nga VV-ja, zgjedhjet zgjidhja e vetme

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e arritur të kësaj partie në rundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe vazhdimin e angazhimit për balotazh.

 

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për balotazhin e 9 nëntorit.

Në këtë mbledhje, PDK ka theksuar se dhënia e mandatarit sërish Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë përbën “humbje kohe dhe zvarritje të panevojshme”, duke shtuar se askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.

Partia ka ripërsëritur qëndrimin e saj se nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga VV-ja, duke theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës politike dhe kthimin e legjitimitetit qytetar.

Sipas PDK-së, kriza e stërzgjatur e shkaktuar nga VV ka dëmtuar të gjitha fushat dhe ka rrezikuar edhe miratimin me kohë të buxhetit të shtetit, çka mund të çojë në vonesa të pagave për qytetarët vitin e ardhshëm.

Kryetari Memli Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin e anëtarëve dhe përkrahësve të PDK-së, duke theksuar se partia është rikthyer në vendin e parë pas 12 vitesh për nga vota popullore, me gjithsej 187.526 vota dhe 206 ulëse në kuvendet komunale.

PDK ka fituar në tri komuna – Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit – në raundin e parë, ndërsa ka rritur ndjeshëm votën për kandidatët për kryetarë komunash në nivel vendi.

Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdojë mobilizimin maksimal për balotazhin në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK synon fitore në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Njoftimi i plotë:

PDK mban mbledhjen e rregullt të kryesisë: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës institucionale
Prishtinë, 5 nëntor – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe vazhdimin e angazhimit për fitore në balotazh.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se dhënia përsëri e mandatarit LVV-së përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale, sepse tashmë është e qartë që askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.
Në këtë mbledhje u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.
Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja.
Tutje, kryetari Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës, që i mundësoi partisë rikthimin në vendin e parë pas 12 viteve sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale me 187.526 vota, me ç’rast PDK ka siguruar 206 ulëse gjithsej në Kuvendet Komunale, duke lënë prapa partitë e tjera.
Po ashtu, në këto zgjedhje lokale PDK ka arritur të rris numrin e votave në total për kandidatët për kryetarë komunash, duke u radhitur e dyta, si dhe ka fituar në tri komuna Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit në raundin e parë.
Kryetari Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdoj angazhimin dhe mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kacanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK është në garë, edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit.