Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dalë në përkrahje të plotë me gazetarët, redaktorët, kameramanët, montazhierët dhe gjithë stafin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), para protestës të së enjtes.
AGK-ja përmes një njoftimi shpreh solidaritet me punonjësit e RTK-së, “të cilët sërish, brenda pak muajsh, po kërkojnë pagat që u takojnë sipas kontratave të tyre, për punën e kryer”.
”Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se do të ketë hapësirë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që komisioni përkatës ta miratojë ndarjen buxhetore për RTK-në. Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria në detyrë e Kosovës duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për të bërë, në mënyrë urgjente, një alokim të ngjashëm si ai i korrikut”, thuhet në reagimin e këtij Asociacioni, transmeton Klankosova.tv.











