Deputeti i PDK-së, dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami ka shkruar sot pasi janë bërë pesë vite nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka thënë se me ngritjen e aktakuzës kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, po tentohet të ndërrohen aleatët e sprovuar të perëndimit, që e kanë ruajtur orientimin perëndimor të popullit tonë, por edhe stabilitetin politik dhe arkitekturën e sigurisë nga Podgorica, Shkupi, Tirana dhe Prishtina.
Ai ka thënë se ky eksperiment i ndërrimit të aleatëve nuk do të funksionojë.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe krejt UÇK-ja ishin bashkë me Bill Clinton kundër Sllobodan Millosheviqit. Ishin bashkë me Tony Blair dhe Madeleine Albright kundër Vuçiqit dhe Daçiqit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe krejt UÇK-ja u bënë bashkë me Wesley Clark kundër Arkanit, Mlladiqit dhe Karagjiçit! Ishin bashkë me George W. Bush kundër Koshtunicës! Edhe sot Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë aleatë të Amerikës, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe tërë botës perëndimore”, ka shkruar Behrami.
Ai ka thënë se tash e dy dekada, ata janë njerëzit më besnikë të vlerave perëndimore dhe diga e perëndimit në Ballkan.
“Paraqitja dijnitoze dhe këshillat publike të tyre nuk janë shprehje frike, por reflektim i shpresës për të mbajtur një kohezion, mirëkuptim dhe dashamirësi, jo vetëm në mes neve shqiptarëve, por edhe të pakicave! Thirrja e tyre për besim në drejtësi është thirrje për unitet! Është thirrje për mbrojtje të dinjitetit tonë!”, ka shtuar Behrami.











