Veprimi i presidentes Vjosa Osmani për të nominuar deputetin Glauk Konjufca për mandatar të dytë po shihet si hap i shefes së shtetit për të përmbushur agjendën e liderit të VV-së, Albin Kurti.
Kjo pasi “opozita” ka përsëritur qëndrimin se nuk ka votë as për mandatarin e dytë.
Mungesa e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, tregon se zgjedhjet e reja janë zgjidhja vetme.
Njohësit e proceseve politike kanë bërë me dije se tani janë dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se nëse Konjufca nuk i ka votat, më 20 nëntor Presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin.
“Mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend, dhe për të siguruar të paktën 61 vota. Nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja. Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre, ndërsa Ligji për Zgjedhjet i jep Presidentes deri në 10 ditë kohë për ta bërë shpalljen e datës së zgjedhjeve, nga momenti i shpërndarjes së Kuvendit. Nëse Kuvendi shpërndahet më 20 nëntor, dritarja ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve i lë si opsione reale 21 dhe 28 dhjetorin”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, mos përjashtuar edhe një atë tjetër.
“Teorikisht, të mundshme janë edhe 14 dhjetori – nëse procedura dështon, respektivisht shpërndarja ndodh më herët; apo 4 janari – vetëm në rast se shpallja e datës së zgjedhjeve shtyhet deri në fund të nëntorit, në afatin maksimal 10-ditor që ka Presidentja”, ka shkruar ai.
Kurse, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka vlerësuar se veprimi i presidentes ka për qëllim krijimin e një bllokade të qëllimshme dyjavore.
Sipas tij, ajo ia bëri një favor Kurtit që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
“Çka janë edhe dy javë bllokadë për dosta. Taman me ja mundesu Kurtit zgjedhjet me 28 dhjetor, në mes festave gazmore të fundvitit. Një regjim hibrid cinik”, shkroi ai në X.
Edhe politologu Agon Maliqi ka ironizuar me konferencën e djeshme të presidentes Vjosa Osmani.
Ai ka bërë me dije se veprimi i saj për të nominuar Glauk Konjufcën ishte në shërbim të agjendës së liderit të VV-së, Albin Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se e para e vendit i ka rënë gjatë për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
“Shumë gjatë i ra presidentja për me thanë se zgjedhjet janë me 28 dhjetor”, ka shkruar ai./Nacionale











