Aeroporti i Brukselit është mbyllur të martën në mbrëmje pas raportimeve për vërejtjen e një droni pranë pistës, ka njoftuar shërbimi belg i kontrollit të trafikut ajror dhe një zëdhënëse e aeroportit.
“Nuk ka fluturime, as ardhje dhe as vajtje aktualisht,” ka deklaruar zëdhënësja, duke shtuar se nuk mund të vlerësohej se për sa kohë aeroporti do të mbetej i mbyllur, raporton agjencia Reuters.
Zyrtarë të kontrollit ajror konfirmuan se pak para orës 19:00 një dron ishte parë në afërsi të aeroportit, çka çoi në ndërprerjen e menjëhershme të operimeve si masë sigurie.
Edhe aeroporti më i vogël i Liezhit ka njoftuar mbylljen e përkohshme të fluturimeve, pasi janë raportuar raste të ngjashme të vërejtjes së dronëve në zonë.
Kurt Verwilligen, zëdhënës i shërbimit belg të kontrollit të trafikut ajror, tha se vendimi për mbyllje ishte marrë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për pasagjerët dhe avionët në qarkullim.












