Mandatari i ri| Osmani pas Kurtit takon edhe Krasniqin e Abdixhikun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së martë ka zhvilluar një sërë takimesh me liderët politikë të vendit.

Pas takimit që kishte në mëngjes me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, ajo pasdite ka zhvilluar takim me liderët e partive opozitare.

Siç mëson Telegrafi, Osmani pak orë më parë është takuar me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa aktualisht po zhvillon takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Këto takime vijnë pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ku Glauk Konjufca u propozua zyrtarisht si mandatar për formimin e qeverisë, pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ta siguruar shumicën në Kuvend.

Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK, AAK e Nisma janë deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe nuk mbështesin krijimin e një qeverie të re në këtë përbërje parlamentare.