LDK-ja nuk e ka diskutuar mundësinë e kthimit të Vjosa Osmanit, mandati presidencial i së cilës skadon në prill të vitit të ardhshëm. Nënkryetarja Hykmete Bajrami nuk do ta pranonte kurrë. Kjo deklaratë dhe kritikat e saj për afrimin e presidentes me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti nxitën reagime nga Presidenca dhe nga një deputete e afërt me shefen e shtetit.
Hykmete Bajrami nuk do ta pranonte kurrë një kthim të Vjosa Osmanit në LDK dhe nuk do ta votonte atë për një tjetër mandat si presidente. “I ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thotë.
Pa deklaruar qartazi synimet e saj të ardhshme, Osmani po hyn në vitin e fundit të mandatit të saj si presidente, ndërsa ka thënë se do ta presë fillimin e vitit të ardhshëm për ta marrë një vendim.
43-vjeçarja u ngjit në karrigen e shefes së shtetit më 2021 kur e braktisi partinë e saj, festoi rezultatin më të e dobët të saj dhe rekordin e vet personal në politikë duke i bashkuar forcat me Albin Kurtin, kryetarin e LVV-së me të cilin LDK-ja refuzon prerazi të bashkëqeverisë sërish.
“Sipas Hykmete Bajramit, nuk ka vend për Vjosa Osmanin në LDK. Sipas meje, personalisht, Vjosa Osmani është personi, fajtori kryesor pse LDK-ja në vitin 2021 ka ra në 12%. Dhe jua rikujtoj deklaratën e Vjosa Osmanit kur ajo ka thënë ‘unë nëse nuk jam në LDK, nuk jam në politikë’. Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK”, tha nënkryetarja e LDK-së të dielën në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Tani që një qeveri e re nuk duket e mundshme të zgjidhet, ajo thotë se “nuk ka zgjidhje tjetër – ka vetëm zgjedhje” dhe Osmani “duhet të ulet dhe ta caktojë datën”.
Kurti dhe Osmani “janë bashkë”, thotë Bajrami dhe presidentja “nuk është e interesuar për zgjedhje”, por “për t’i dhënë kohë Albin Kurtit”, i cili, sipas saj, gjithashtu “nuk është i interesuar për zgjedhje”.
“Kemi pritur që 9 muaj dhe askush nuk i ka 61 vota. Sikur Vjosa Osmani do të ishte me të vërtetë pro procesit të shmangies së zgjedhjeve, ajo do të dilte me një deklaratë në kohën kur LDK doli për qeveri të unitetit”, tha ajo, shkruan Gazeta Express.
Kësisoj, Bajrami e sheh ish-bashkëpartiaken e saj larg LDK-së.
“Nëse Vjosa Osmani do të kthehej në LDK, LDK-ja do t’i ofendonte dhe në njëfarë mënyre do t’i ‘përjashtonte’ 112 mijë votuesit e zgjedhjeve të vitit 2021 – votues të besueshëm, njerëz lojalë të cilët kanë qenë me LDK-në në kohë të mira e të vështira. Kështu që është kundër vullnetit të tyre”, tha ajo.
Një kthim të mundshëm të Osmanit te partia e saj e dikurshme, Bajrami tha se në LDK nuk e kanë diskutuar asnjëherë, por e nënvizoi qëndrimin e saj si nënkryetare. “Nëse nesër do të hapej një temë e tillë në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami do të ishte kundër”.
LDK-ja ia kishte mundësuar Osmanit të zgjidhej presidente në vitin 2021, pavarësisht se ajo doli jashtë dhe kundër partisë. Atë kohë, Bajrami tha se “ka qenë reflektim ndaj situatës në të cilën kemi qenë”, dhe se ajo kishte votuar për të mos shkuar në zgjedhje sërish.
Donika Kadaj Bujupi, këshilltare e presidentes, nuk i duroi këto deklarata të nënkryetares së LDK-së, duke i reaguar dje nëpërmjet një postimi në Facebook. E paralajmëroi Bajramin të mos nisë “beteja me Presidenten”.
“Juve mund edhe t’ju shkoje mendja ndonjëherë të filloni beteja me Presidenten, por pastaj mos u ankoni për rezultatet zgjedhore, se edhe 12 përqindëshi do ju duket i mirë”, shkroi ajo.
Këshilltarja tha se Bajrami s’kishte “asnjë motiv racional” t’i bënte këto deklarata për presidenten. Sipas saj, nuk është normale që ajo të ketë “problem me Presidenten e vendit të vet”.
Kadaj Bujupit i ka penguar edhe fakti që deputetja iu referua presidentes vetëm me “Vjosa Osmani”.
“Cila është porosia që deputetja në fjalë ka dashur t’u përcjellë qytetarëve me këtë qëndrim? Mbetet të besohet se nuk i ka llogaritur mirë fjalët dhe emocionet, sepse vështirë të besohet që dikush të mos ketë problem me Listën Serbe, por të ketë problem me Presidenten e vendit të vet. Vetëm urrejtja patologjike mund të verbojë dikë kaq shumë sa që me dhjetëra herë t’i referohet Kreut të Shtetit vetëm me ‘Vjosa Osmani’ e jo si Presidente, logjikë kjo që e shohim vetëm në mediat e Serbisë. Presidentja Osmani nuk është person privat, por Presidente e Republikës së Kosovës që para se të zgjedhet nga Kuvendi mori bekimin e mbi 300 mijë votave të popullit të Kosovës. Këtë besim e mori sepse mbrojti të vërtetën dhe dinjitetin shtetëror”, shkroi ajo.
Jeta Statovci, deputetja që u bë për herë të parë pjesë e Kuvendit nën bashkëpunimin Kurti-Osmani, e ndjeu nevojën të reagonte gjithashtu.
“Zonja Hykmete Bajrami paska deklaruar se Presidentja Vjosa Osmani paska qenë fajtore përse në zgjedhjet e vitit 2021, LDK ka dalë 12%. Por Zonja Bajrami paska harruar se Presidenten Osmani, partia e saj e ka përjashtuar nga LDK, se kostoja elektorale e 12% ka qenë pasojë e shkeljes së demokracisë të brendshme në LDK, por edhe jashtë saj. Përjashtuan personin me besimin më të lartë elektoral që nga Presidenti Rugova”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
I kërkoi Bajramit që të bëjë “kujdes”.
“E presidentes Osmani i kalon mandati edhe pak muaj, andaj bëni kujdes, se mund fare lehtë të ju kthej në 12%, me argumentet e saj politike, konsistencën ideologjike që ka me bazë trashëgiminë e Presidentit Rugova, jo të këtij diskursi destruktiv të LDK-së, që amniston Listën Serbe, e fajëson të tjerët për rezultatin e tyre”.
“Nuk më heqin qafe” pati thënë Osmani vitin e kaluar, kur ishte pyetur në një intervistë se a do të vazhdojë të qëndrojë në politikë edhe pas prillit të vitit 2026, kur i përfundon mandati si presidente.
Vjosa Osmani ishte bërë bë njeriu më i votuar në historinë e vendit kur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 i mori 300 mijë e 756 vota. Popullariteti i madh e çoi atë në përgjegjësinë më të madhe në karrierën e saj politike; u bë presidente, në saje të një bashkëpunimi me Albin Kurtin, i cili mori drejtimin e qeverisë.
Do të nevojitej një koalicion i madh për ta zgjidhur çështjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Në të kundërtën, mungesa e një marrëveshjeje politike edhe për këtë, do të mund ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
Duhen dy të tretat e votave në Kuvend për t’u zgjidhur presidenti. Në rast se kandidati nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë mund të zgjidhet me votat e shumicës së thjeshtë (61), por gjithsesi, 80 deputetë duhet të jenë në sallë. Dështimi i zgjedhjes së një presidenti edhe në tentativën e tretë, do të thotë se Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.












