Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje do të mblidhet sot për të caktuar mandatarin e ri për kryeministër.
Në rendin e ditës të kësaj mbledhje është votimi i mandatarit, ku kjo mbledhje do të mbahet nga ora 12:00.
Të dielën e kaluar kabineti i propozuar nga Albin Kurti për Qeverinë Kurti III nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend.
Partitë ish-opozitare kanë thënë se nuk do të provojnë të formojnë qeveri, duke kërkuar zgjedhje.
Në takimin e presidentes Osmani me liderët e partive politike nuk u arrit ndonjë marrëveshje. Aty u tha se Kurti kërkoi që të provojë edhe një herë formimin e qeverisë.
Nga LVV kanë thënë se nuk kanë mandatar tjetër pos Kurtit për kryeministër, ndërsa sipas njohësve të Kushtetutës, Kurtit nuk i lejohet në këtë moment të jetë mandatar.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje ka edhe vetëm një ditë kohë për të vendosur nëse do të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër apo nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në njoftimin për mbledhjen e sotme thuhet se do votohet mandatari për kryeministër nga VV-ja, transmeton lajmi.net.
Ndryshe sot Albin Kurti i shkoi në takim presidentes Vjosa Osmani. Deri më tani nga ky takim nuk u dha asnjë detaj.
Enver Dugolli i Vetëvendosjes, në anën tjetër, mohoi se do të ketë emër të ri për mandatar.
“Jo, nuk kemi ndonjë emër ose opsion tjetër për mandatar. Ne e kemi pasur Kurtin dhe nuk kemi thirrur ndonjë mbledhje të Këshillit të përgjithshëm, prandaj nuk do të ketë emër tjetër për mandatar”, u shpreh ai në TeVe1.
Albin Kurti i Vetëvendosjes në seancën e 28 tetorit dështoi të zgjedhë qeverinë e propozuar, ku mori veçse 56 vota, pesë më pak se shumica e thjeshtë e nevojshme për të zgjedhur qeverinë.
Nga partitë ish-opozitare janë deklaruar se nuk do të kërkojnë nga Presidentja e Kosovës mandatar për formim të qeverisë së re.













