Në Bruksel, liderët e shteteve kandidate dhe udhëheqësit e institucioneve evropiane mbilidhen në një samit joformal për zgjerimin e BE-së.
Një samit joformal rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku do të mblidhen drejtues të lartë të BE-së dhe liderë të vendeve kandidate, do të nis të martën në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel. Kjo ngjarje, që është e para e këtij lloji, synon të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të procesit të zgjerimit drejt lindjes dhe juglindjes së Evropës.
Në këtë samit do të marrin pjesë Presidenti i Këshillit Evropian António Costa, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, krahas përfaqësuesve të tjerë të lartë të Komisionit Evropian.
Por, në këtë ngjarje nuk është ftuar Kosova – shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kosova ka dorëzuar aplikacionin në vitin 2022, por shtetet anëtare nuk e kanë ekzaminuar ende dosjen e Kosovës.
Ky samit, i cili nuk është nën patronatin e BE-së, por iniciativë e rrjetit “Euronews” që ka mbledhur drejtues të institucioneve evropiane dhe liderë të vendeve kandidate për të diskutuar mbi të ardhmen e procesit të zgjerimit, vjen në prag të publikimit dhe miratimit të paketës së zgjerimit 2025 e cila do të vlerësojë përparimin e vendeve kandidate – dhe atyre aspirante – dhe do të përcaktojë prioritetet për vitet e ardhshme.











