Komuna e Podujevës ka shpallur fituesin e tenderit për furnizimin me mëshqerra të subvencionuara, në vlerë 428 mijë euro, ku çdo mëshqerrë rezulton t’i kushtojë buxhetit publik rreth 2,642 euro. Sipas dokumenteve zyrtare të prokurimit, tenderin e ka fituar kompania “MELI SH.P.K.” nga Prishtina, ndërsa në garë kanë marrë pjesë vetëm dy operatorë, shkruan Demokracia.com.
Tenderi përfshin furnizimin me 162 mëshqerra, të racës së importuar nga Bashkimi Europian, me pedigree dhe standarde të larta të dokumentimit, përfshirë certifikim gjenealogjik dhe performancë të qumështit të gjeneratave të mëparshme.

Ky projekt paraqitet si investim për rritjen e kapaciteteve bujqësore, por ka dyshime mbi mënyrën e zbatimit, kriteret e vendosura dhe filozofinë e mbështetjes së bujqësisë në vend.

Fermerët vendorë jashtë skenës: subvencione për blegtori, por blerje nga jashtë Kosovës
Ndërkohë që Ministria e Bujqësisë deklaron vazhdimisht se po mbështet fermerët dhe rritjen e prodhimit vendor, në këtë rast duket se praktika shkon në drejtim të kundërt. Tenderi i Komunës së Podujevës kërkonte:
- mëshqerra vetëm nga BE
- pedigree për dy gjenerata
- peshë të caktuar trupore
- gjendje barrëse 5–7 muaj
- histori të provuar të prodhimtarisë së qumështit
- vend të posaçëm brenda komunës me peshore për pranimin e kafshëve
Pra, ndërsa fermerëve vendorë u kërkohet të zhvillojnë prodhimin dhe të kontribuojnë në ekonominë rurale, buxheti publik po shkon për blerjen e kafshëve jashtë vendit.
Në fakt, tenderi krijon përshtypjen e një mbështetjeje të importit, jo të zhvillimit të kapaciteteve vendore të blegtorisë.
Çmimi dhe konkurrenca e ulët ngritin dyshime
Vlera për një mëshqerrë llogaritet:
428,004 € / 162 copë = 2,642 €/copë

Në tregun rajonal, çmimi i mëshqerrave të reja barrëse zakonisht sillet në një nivel më të ulët, ndërsa edhe kushtet e transportit, karantinimit dhe dokumentimit nuk e justifikojnë domosdoshmërisht një nivel të tillë çmimi për të gjitha rastet.
Për më tepër, fakti se ishin vetëm dy ofertues, dhe fituesi e ofroi çmimin pothuaj identik me vlerën e parashikuar, nxit dyshime mbi nivelin real të konkurrencës dhe hapësirën për transparencë më të madhe.
Edhe pse blerja e kafshëve të racave të mira nga BE mund të sjellë benefite afatgjata, pyetja thelbësore është: A duhet Kosova të importojë mëshqerra të gatshme, apo të investojë në fermat vendore, genetike vendore dhe programe shumimi?
Tash kur fermerët ankohen për mungesë mbështetjeje, mungesë tregu për qumështin e tyre dhe kosto të larta ushqimi, ky tender mund të interpretohet si një sinjal i gabuar: para publike për import, barriera për prodhimin vendor, mungesë strategjie afatgjatë në blegtori vendore.
Në fund, mbetet të theksohet se edhe afati ligjor për paraqitjen e ofertave ka ngritur dyhsime. Sipas Ligjit për Prokurim Publik, për tenderët e mëdhenj afati minimal i hapur për ofertim duhet të jetë së paku 40 ditë, në mënyrë që të sigurohet konkurrencë e mjaftueshme dhe mundësi e barabartë pjesëmarrjeje për operatorët ekonomikë. Në këtë rast, dokumentet tregojnë se tenderi është hapur më 18 qershor dhe është mbyllur më 08 korrik 2025, duke e lënë periudhën efektive të aplikimit rreth 20 ditë, pra gjysmën e afatit të kërkuar me ligj.

Komuna e ka arsyetuar shkurtimin duke thënë se bëhej fjalë për ri-tenderim, pasi procedura e mëparshme nuk kishte prodhuar ofertues. Megjithatë, edhe në rast ri-shpalljes, ligji parasheh respektimin e afateve që garantojnë konkurrencë dhe transparencë. Kjo praktikë ngre dyshime nëse procedura është zhvilluar në një mënyrë që favorizon pjesëmarrje të kufizuar, duke ulur mundësinë për gara të gjerë dhe duke lënë hapësirë dyshimi se standardet e barazisë dhe konkurrencës së drejtë nuk janë respektuar plotësisht. /Demokracia.com/










