KQZ konfirmon se afatet ligjore për tërheqje nga gara kanë përfunduar më 2 shtator 2025.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të hënën se tërheqja nga gara zgjedhore e kandidatit për kryetar të komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiç, nuk ndikon në zhvillimin e procesit zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë, nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore. Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për redaksinë e Albanian Post në Prishtinë.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, sipas KQZ-së, do të vazhdojë me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë, përkatësisht mes Spasiçit, i cili ka braktisur “Unitetin Kombëtar Serb” për t’iu bashkuar Listës Serbe, dhe kandidatit të kësaj të fundit, Bozhidar Dejanoviç, i cili synon mandat të ri në krye të Kllokotit.
Qytetarët e Kllokotit do t’i drejtohen kutive të votimit më 9 nëntor, për të vendosur se kush do ta udhëheqë komunën në katër vitet e ardhshme, duke qenë se në rundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk siguroi shumicën prej 50 për qind plus 1 votë.










