Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral Bashkim Jashari, priti sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon, si dhe për zhvillimet brenda FSK-së.
Sipas njoftimit të FSK-së, Jashari i uroi mirëseardhje Ulutashit dhe e përgëzoi për detyrën e re si komandant i KFOR-it, duke i dëshiruar sukses në këtë përgjegjësi të rëndësishme.
“Gjatë takimit ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat, operacionet dhe aktivitetet e tjera të saj. Po ashtu, u fol edhe për situatën aktuale të sigurisë vendore dhe rajonale, si dhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen,” thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në takim u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it, që sipas forcës, është kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.
“U theksua rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi, i cili do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë si në Kosovë, ashtu edhe në rajon,” thekson njoftimi.










