Me ligj është e ndaluar, por edhe ka një urdhëresë vetëmohuese të heshtur: në Mbretëri të Bashkuar, për shembull, e quajnë “Purdah”. Gjatë kohërave (para)zgjedhore, dhe deri në konkludimin final të zgjedhjes së qeverisë legjitime dhe fuqiplote nga parlamenti, nuk guxon të merren vendime elektoralisht të ndjeshme, financiare e politike, nga një qeveri në kapacitet thjesht-kujdestar: është kategorikisht e ndaluar të shkohet në gjëra të dizajnuara për të ndikuar në mbështetje publike për një parti politike të caktuar. Kjo është edhe e shkruar në logjikën elementare të një sistemi demokratik kudo në botë. Qeveria kujdestare trajton vet;m gjërat e domosdoshme të ditës: sepse është derivat i një legjislature legjitimiteti i cilit ka skaduar, dhe duhet të rilegjtimohet. Duke suspenduar ligjin dhe rendin kushtetues të vendit, Albin Kurti i Vetëvendosjes bashkë me kabinetin e tij prej deputetësh të VV-së në karriga qeveritare-kujdestare miratuan “Projektbuxhetin” për vitin 2026; ç’gjë s’ka autoritet kushtetues e ligjor, dhe miratimin e të cilës do të duhej ta votonte vetë në qeveri, vetë në kuvend – kësisoji duke ushtruar dy pushtete të sanksionuara kushtetuetshmërisht: legjislativ dhe ekzekutiv. Ky veprim i Kurtit u gjet i sfiduar edhe ligjërisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga rrjeti i organizatave joqeveritare, AVONET.
…
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar padi ndaj Qeverisë në detyrë të Kosovës, duke kontestuar vendimin për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2026. Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, tha pas dorëzimit të padisë se veprimi është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
“Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative padinë për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, nr. 02/273, të datës 31.10.2025, për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026,” tha Gashi.
Ai shtoi se bashkë me padinë është propozuar edhe vendosja e një mase të përkohshme sigurie, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. Sipas tij, kërkesa bazohet në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, me arsyetimin se zbatimi i vendimit do të shkaktonte “dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës.”
Gashi akuzoi Qeverinë në detyrë për tejkalim të kompetencave kushtetuese:
“Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se Qeveria në detyrë, me rastin e miratimit të vendimit në fjalë, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo për të miratuar projektligje,” tha ai.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se e vetmja mundësi për miratimin e buxhetit për vitin 2026 do të ishte krijimi i një qeverie të përkohshme teknike e cila do të kishte mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor.
“E vetmja mundësi brenda rrugëve ligjore dhe kushtetuese për miratimin e buxhetit është që partitë politike – veçanërisht ato opozitare – të bien dakord për formimin e një qeverie të përkohshme teknike, e cila do të kishte mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së.
Një qeveri e tillë do të siguronte funksionalitetin institucional dhe do të shmangte bllokimin financiar të shtetit, duke respektuar njëkohësisht parimet e ndarjes së pushteteve dhe të legjitimitetit demokratik. Ky opsion do të parandalonte edhe abuzimet me fondet publike për qëllime klienteliste gjatë fushatave zgjedhore, si dhe do të parandalonte zvarritjen e qëllimshme të procesit të konstituimit pas zgjedhjeve të ardhshme”, tha ai.



															






