Në 18 nga 38 komuna do të zhvillohet gara e balotazhit për kryetarë të komunave, e fushata zyrtarisht nis të hënën, ndonëse kandidatët e partitë kanë mbajtur tubime në vazhdimësi.
Fushata do të zgjasë gjashtë ditë.
“Gjatë periudhës prej më shumë se gjashtë ditësh, nga 3 deri në momentin e hapjes së Qendrave të Votimit, më 9 nëntor, subjektet politike dhe kandidatët do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata përfundon me hapjen e Qendrave të Votimit në ditën e zgjedhjeve. Kështu, njësoj si në zgjedhjet e mbajtura në më 12 tetor, dita e shtunë nuk është ditë heshtjeje zgjedhore”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ndonëse fushata zgjedhore është e paraparë të nisë të hënën, aktivitetet e fushatës subjektet dhe kandidatët i kanë nisur më herët.
LVV-ja të shtunën ka mbajtur tubim në Prishtinë, ndërsa kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, e ka postuar një video të sponsorizuar në Facebook ku ka promovuar punën e tij në katër vitet që shkuan.
Rregullat zgjedhore nuk vlejnë për këtë periudhë.
E zëdhënësi Valmir Elezi në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar se Ligji për zgjedhjet obligon subjektet dhe kandidatët që nga 3 deri më 9 nëntor të shmangin gjuhën e urrejtjes si dhe të zhvillojnë fushatë në frymën e respektit.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, ka thënë Elezi.
KQZ-ja ka njoftuar po ashtu se votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër duhet të regjistrohen për votim më së largu deri më 4 nëntor.
E balotazhi do të zhvillohet në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Suharekë, Rahovec, Klinë, Dragash, Kaçanik, Viti, Obiliq, Mamushë, Junik e Kllokot.
Deri të dielën, janë arritur tetë marrëveshje ndërmjet partive politike në gjithsej 18 komunat që shkojnë në balotazh.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në bazë të të dhënave publike del të jetë partia që ka arritur më së shumti marrëveshje, katër sosh.
Në Junik, ka lidhur marrëveshje për ta marrë mbështetjen e Vetëvendosjes, ndërsa Vetëvendosjen do ta mbështesë në Prizren.
Në Gjakovë, AAK-ja ka arritur marrëveshje me LDK-në. Këtë qytet e udhëheq aktualisht kandidati i Aleancës, Ardian Gjini.
“Po, kemi marrëveshje. Kjo marrëveshje është rezultat i vullnetit të kryesisë së degës së LDK-së në Gjakovë, e miratuar edhe nga niveli qendror i LDK-së. Kjo marrëveshje ka për qëllim që bashkë ta bëjmë Gjakovën edhe më mirë – edhe më të mirë”, ka thënë Shefqet Shehu, kryetar i degës së LDK-së në Gjakovë.
E favorin AAK-ja do t’ia kthejë në Prishtinë ku Bekë Berisha ka shpallur mbështetjen për kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, që do të garojë me Hajrulla Çekun e VV-së.
Nga 18 komunat, Vetëvendosja është në balotazh në më së shumti, 12.
Kjo parti ka lidhur një numër të vogël marrëveshjesh për koalicion.
Përveç marrëveshjeve në Prizren e Junik me AAK-në, LVV-ja do ta mbështesë Shaban Shabanin e PDK-së në Dragash dhe tashmë e ka lidhur marrëveshje me Xhafet Tahirin e LDK-së për Vushtrri.
LDK-ja e ka kontestuar marrëveshjen, ndërsa Tahiri nuk ka hequr dorë nga ajo.
LDK do ta marrë mbështetjen e PDK-së në Gjilan, e në bastionin e kahershëm të saj në Fushë-Kosovë. Marrëveshja PDK-LDK u arrit edhe në Mitrovicën e Jugut.
Për nga numri i votave për kryetarë në 7 qendrat e mëdha në zgjedhjet e 12 tetorit, LDK-ja doli e para në Prishtinë e Pejë, PDK-ja në Prizren, LVV-ja në Gjilan e Mitrovicë të Jugut, kurse AAK-ja në Gjakovë.
Ferizaj ka rizgjedhur Agim Aliun e PDK-së edhe për një mandat.









