Kosova po përballet me një periudhë ndjeshëm më të rënduar ekonomike gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin paraprak, me raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës që na nxjerr shifra shqetësuese për tremujorin e tretë të vitit 2025. Ndonëse disa sektorë ende ruajnë stabilitet, indikatorët kryesorë si papunësia, inflacioni dhe deficiti tregtar po rrëshqasin në rrjedha negative.
Sipas ASK-së, numri i punëkërkuesve të regjistruar arriti në 69,751 në shtator 2025 – një rritje dramatike prej mbi 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm gjatë tremujorit korrik–shtator, më shumë se 3,000 persona të rinj janë shtuar në listat e papunësisë, duke reflektuar ngecjen e tregut të punës dhe mungesën e absorbuarjes së fuqisë punëtore në sektorin privat.
Një tjetër indikator shqetësues i cili i është rikthyer rrjedhës negative është inflacioni. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është ngjitur në 4.7% në shtator 2025, nga vetëm 0.2% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Brenda tre muajve, inflacioni është përshpejtuar nga 4.3% në korrik në 4.7% në shtator, duke gërryer fuqinë reale blerëse të qytetarëve dhe duke vështirësuar jetesën e përditshme.
Në korrik 2025, inflacioni vjetor në Kosovë, i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ishte 4.3 për qind. Kjo përbën një ritëm dukshëm më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila shënoi
Për më tepër, raportet e fundit të KAS nënvizojnë rritjen e indeksit të çmimeve të importit dhe të kostos së ndërtimit, dy tregues që shpesh paraprijnë valë të reja inflacioniste.
Në planin tregtar, deficiti mbetet kronikisht i thellë. Vetëm gjatë TM3 2025, eksportet arritën në 245.8 milionë euro, ndërsa importet shënuan një shifër marramendëse prej €1.879 miliardë. Diferenca – afro 1.63 miliardë euro – përbën një hendek strukturor që ekonomia e e vendit nuk arrin ta mbyllë, pavarësisht rritjes së moderuar të prodhimit vendor në disa degë industriale.
Në shtator, eksportet mujore ishin 85.8 milionë euro, ndërsa importet 606.2 milionë euro, duke krijuar një deficit mbi gjysmë miliardë euro brenda vetëm një muaji. Këto shifra na tregojnë varësinë e skajshme të vendit nga mallrat e huaja.
Në terma të thjeshtuar: për çdo 100 euro mallra që fusim në vend, vetëm rreth 12–14 euro po i mbulojmë me shitje jashtë, duke ushqyer një deficit që zgjerohet muaj pas muaji gjatës 2025-ës.










