Paga minimale: E “pamundura” i bëhet “e mundur” – Murati tradhton logjikën ekonomike për matematikën e pushtetit

Në analet e groteskut politik të Kosovës sot, vështirë haset në një shembull që demaskon aq brutalisht kameleonizmin politik sesa shndërrimi i beftë i Hekuran Muratit, deputetit që predikonte “pamundësi” për propozimet e partive tjera rreth pagës minimale.

Vetëm disa muaj më parë, ish-ministri i Financave na fliste me ton profesorësh të ekonomisë për të deklaruar se paga minimale 500 euro “nuk do të bëhet”, sepse “është mbi mesataren” dhe “s’ka ndodhur askund në botë”. Sot, në mes të zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale në prag, i njëjti njeri komunikoi vendimin e shumëpërbuzur dhe shumëkritikuar, të propozuar nga partitë ish-opozitare. Me zgjedhjet nacionale në prag, Murati i dha fund teorisë ekonomike për kalkulim cinik elektoral.

Por ajo që e ngre absurditetin përtej banalitetit të zakonshëm politik është konteksti ekonomik: Kosova jo vetëm që nuk ka shënuar asnjë progres substancial në rritjen ekonomike, por, sipas projeksioneve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pritet rënie e rritjes krahasuar me vitin paraprak.

Për më tepër, ndonëse në pushtet që nga viti 2021, qeveria Kurti 2 vendosi ta rrisë pagën minimale vetëm në fund të mandatit qeverisës dhe po synon ta rrisë atë sërish brenda një viti, ndonëse në shkelje flagrante me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Rreth tre muaj më parë, Gjykata Supreme i dha vulën e paligjshmërisë dhe antikushtetueshmërisë së deputetit Albin Kurti dhe dhjetë deputetëve të tjerë “ministra”. Supremja kishte aprovuar në tërësi një padi të Enternet Sh.p.k. dhe Konsorciumit Service Global, duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Më shumë se tre muaj pas atij vendimi, Albin Kurti dhe deputetët e tjerë që mbajnë edhe poste ministrore vazhdojnë të ushtrojnë funksionet ekzekutive, ndonëse dështuan të sigurojnë shumicën e nevojshme prej 61 votash nga legjislatura e re për formimin e Qeverisë së re.

As kjo s’e ndali Kurtin dhe deputetët e tij që, vetëm pak ditë pasi u bë e qartë se Vetëvendosje kishte humbur shumicën për një mandat tjetër, të nisin një valë veprime që, sipas njohësve të fushës, përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetues dhe ligjeve të Kosovë.

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e quajti veprimin e Vetëvendosjes për miratimin e projektbuxhetit 2026 “tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë.”

Në reagimin e tij, Hoti tha se projektbuxheti është dorëzuar në Kuvend në mënyrë kundërligjore, nga një qeveri që ka humbur legjitimitetin dhe nga ministra që, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, po ushtrojnë funksione në kundërshtim me ligjin.

“Dje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar në adresat zyrtare Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend. Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët.

Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi.

Shkelja tjetër ligjore është se Projektligji i prezantuar në mbledhje të Qeverisë është bërë nga një deputet dhe u dorëzua në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit.” – tha Hoti ndër të tjera.

Lexo reagimin e plotë:

Reagim pati edhe nga Oda Ekonomike Amerikane, ku u shpreh shqetësimi u shpreh shqetësim serioz që qeveria në detyrë jo vetëm ka përgatitur, por edhe ka miratuar dhe proceduar në Kuvend një projektbuxhet të ri, duke anashkaluar kufizimet ligjore që i ndalonin një akt të tillë.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2026, në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Si institucion që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm të të bërit biznes në Kosovë, Oda Amerikane thekson se vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë në politikat fiskale dhe ekonomike të vendit duhet të merren nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik. Legjislacioni aktual qartazi kufizon fushëveprimin e një qeverie në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale që krijojnë detyrime të reja afatgjata për financat publike.”

Lexo reagimin e plotë këtu:

Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli e përshkroi situatën si “realitet absurd” dhe “paradoks ”, ku të njëjtët individë që dështuan në votë, tani miratojnë dhe votojnë dy herë të njëjtin buxhet – si ministra dhe si deputetë.

“Sot jemi përballë një realiteti aq absurd sa edhe paradoksal:

– Buxheti i vitit të ardhshëm po i propozohet Kuvendit nga një deputet që vetëm pak ditë më parë u refuzua si kandidat për Kryeministër. I njëjti tash po vepron si Kryeministër në detyrë dhe po ia dërgon po atij Kuvendi projektbuxhetin për miratim.

– Shumica e (ish-)ministrave që morën pjesë në miratimin e këtij buxheti në Qeveri do të votojnë për të përsëri në Kuvend, veçse tash nga funksioni i deputetit. Pra, dy vota “pro” për të njëjtin projektligj, nga dy pozita të ndryshme – konflikt ky i pastër interesi.

– Projektbuxheti është përgatitur dhe propozuar nga (ish-)Ministri i Financave, të cilit Gjykata Supreme i kishte anuluar një udhëzim administrativ pikërisht për shkak të papajtueshmërisë së mandatit të tij. I njëjti tash vazhdon të njëjtën shkelje, por këtë herë për ligjin më të rëndësishëm të vitit – buxhetin e shtetit.” – tha Cakolli ndër të tjera.

Lexo reagimin e plotë këtu: