Hipokrizi e VV-së në qëndrime dhe veprime ka ardhur në shprehje edhe në raport me ankesat e saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Për të njëjtin fenomen në dy komuna të ndryshme, partia e Albin Kurtit ka vepruar në mënyra të ndryshme.
Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP për votimin me asistencë në komunën e Hanit të Elezit ku ka fituar kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi, por ka mbyllur sytë përballë fenomenit të njëjtë në komunën e Kamenicës, ku ka fituar kandidati i saj, Kadri Rahimaj.
Në ankesën e saj në PZAP kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarin e komunës së Hanit të Elezit, VV-ja ka kërkuar nga ky institucion që të përsëritë votimin e 12 tetorit.
Sipas Vetëvendosjes, votimi me asistencë ka qenë lart në këtë komunë.
“Pjesa apo përqindja e madhe me asistencë në komunën e Hanit të Elezit ka ndikuar drejtpërdrejt në përjashtimin e kandidatit tjetër nga gara demokratike, duke arritur rezultat që siguron fitorean pa balotazh — pra duke përjashtuar raundin e dytë të votimit”, është thënë në ankesën e VV-së, e cila është rrezuar nga PZAP-ja.
Vetëvendosje ka llogaritur se “derisa dallimi midis kandidatit të parë, fitues i garës zgjedhore pa balotazh dhe kandidatit të dytë është vetëm 134 vota, atëherë del se numri i votave me asistencë në garën zgjedhore të komunës së Hanit të Elezit është 5 herë më e madh se dallimi i votave (134) mes dy kandidatëve në garë”.

Por, si në çdo temë tjetër, VV-ja ka “bishtnuar” edhe në këtë çështje.
Kjo parti ka mbyllur sytë përballë fenomenit të njëjtë në komunën e Kamenicës, ku kandidati i saj, Kadri Rahimaj, ka fituar në raundin e parë.
Rahimaj i VV-së i ka “ikur” balotazhit” për një numër të vogël votash, vetëm 1.39% të votave.

Në komunën e Kamenicës, sipas një raporti nga KQZ, numri i qytetarëve që kanë votuar në 12 tetor është 15,037, ku 1,168 nga ta apo 7.77% kanë votuar me asistencë.
Nëse do të përdorej logjika e njëjtë si kjo e Vetëvendosjes, mund të arrihet në përfundime se përqindja e numrit të votave me asistencë, 7.77%, në garën zgjedhore të komunës së Kamenicës është 5 herë më e lartë se përqindja 1.36% e cila e ka bërë fitues në raundin e parë kandidatin e Vetëvendosjes.
Ndonëse këto fakte janë të ditura për partinë e Kurtit, ajo ka vendosur të mos paraqesë kurrfarë ankese në PZAP për të kërkuar rivotim në komunën e Kamenicës në mbrojtje të vullnetit demokratik të votuesve.










