Cristiano Ronaldo Júnior debutoi këtë të enjte me kombëtaren U-16 të Portugalisë në Kupën e Federatave, që zhvillohet nga 30 tetori deri më 4 nëntor. Djali i madh i yllit portugez luan, si i ati, për Al Nassr, në ekipet e të rinjve, dhe synon të arrijë te skuadra e parë.
Cristiano Ronaldo është 40 vjeç dhe ka kontratë deri në qershor 2027, kur “Cristianinho” do të jetë 17 vjeç, moshë në të cilën kanë debutuar talente si Lamine Yamal apo Leo Messi. Me këtë ritëm, nuk përjashtohet mundësia që baba e bir të ndajnë të njëjtën fushë dhe dhomë zhveshjeje në të ardhmen.

Ronaldo ka pranuar: “Do të më pëlqente të luaja me të, por kjo është më shumë në duart e tij se të miat. Po kalojnë vitet dhe një ditë do më duhet të ndalem”.
Cristiano Jr., pjesë e akademisë së Al Nassr që nga 2023, është një sulmues i fuqishëm, i shpejtë dhe teknik, që pëlqen të nisë nga e majta e sulmit. “Është shumë konkurrues, si unë kur isha i vogël… Do të jetë si unë, jam 100% i sigurt”, – ka thënë Ronaldo për të birin.
The post Cristiano Júnior “nis” sfidën për të luajtur me të atin: “Është më shumë në duart e tij se të miat…” appeared first on Telesport.










