Ekspertët e drejtësisë i quajnë “të paligjshme” vendimet e Qeverisë në detyrë, ndërsa ata të ekonomisë paralajmërojnë rrezik për stabilitetin fiskal në mungesë të burimeve të sigurta të ardhurash.
Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila ka kompetenca të kufizuara, ka marrë një sërë vendimesh të premten, përmes të cilave ka shkelur Kushtetutën. Vendimet e miratuara janë bërë në mënyrë të kundërligjshme, duke rrezikuar kështu edhe stabilitetin fiskal të vendit.
Miratimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2026 në vlerë prej afër 4 miliardë eurosh, miratimi i rritjes së shumës së përfitimeve të skemave pensionale të financuara nga shteti, aprovimi i kërkesave të komunave të Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut për buxhetin, si dhe miratimi i pagës së re minimale, janë vetëm disa nga vendimet e marra në mbledhjen e ekzekutivit të premten.
Këto kërkesa nga grupe të ndryshme ishin bërë edhe më herët, në kohën kur Qeveria kishte kompetenca të plota, por nuk u realizuan gjatë mandatit katërvjeçar. Për këtë arsye, njohësit e çështjeve ekonomike po i vlerësojnë këto vendime si të motivuara më shumë nga fushata dhe perceptimi publik, sesa nga interesi real i qytetarit të zakonshëm.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Adem Qorrolli, thotë për Albanian Post se në aspektin ekonomik, shumica e rritjeve të paralajmëruara, qofshin ato për paga, pensione apo ndihma të tjera financiare, janë shumë të vogla.
“Pasi nuk e përballojnë dot ritmin e inflacionit dhe rritjes së çmimeve në energjinë elektrike dhe detyrimeve të tjera shtetërore gjatë dy viteve të fundit. Këto masa nuk ndryshojnë as fuqinë blerëse të qytetarëve, as nuk ndikojnë ndjeshëm në ekonominë reale”, deklaroi Qorrolli për AP.
Ai përmend edhe arsyet pse të njëjtat veprime nga një qeveri në detyrë nuk mund të kenë ndikim real.
“Inflacioni i akumuluar në vitet 2022–2025 ka zbehur ndjeshëm efektin e çdo rritjeje lineare në paga e ndihma sociale. Rritjet nominale që qeveria po promovon janë më shumë kozmetike – ato nuk e përmirësojnë mirëqenien reale të qytetarëve, por vetëm shërbejnë si sinjal politik. Investimet kapitale mbeten të ulëta, ndërsa fokusi është zhvendosur nga zhvillimi afatgjatë tek shpërndarja e fondeve të vogla me ndikim të menjëhershëm publik”.
Ndër të tjera, potencoi se stabiliteti fiskal mund të vihet në rrezik nëse trendi i shpenzimeve vazhdon pa burime të sigurta të ardhurash.
“Në thelb, vendimet e fundit të qeverisë janë: ekonomikisht të papërfillshme, pasi nuk arrijnë të përmirësojnë standardin e jetesës në raport me inflacionin dhe kostot e rritura të jetesës, fiskalisht të rrezikshme, nëse vazhdojnë pa buxhet të miratuar dhe pa mbulesë të ardhurash të reja dhe politikisht të kalkuluara, duke shërbyer më shumë për fushatë dhe perceptim publik, sesa për qytetarin e zakonshëm”, sqaron Qorrolli.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ardian Bajraktari, deklaron për Albanian Post se kur përjashtimi bëhet rregull dhe shkelja e normave justifikohet me lehtësi, kjo është shqetësuese.
“Miratimi i buxhetit dhe çfarëdo vendimi apo veprimi tjetër, kur pjesë e asaj vendimmarrjeje janë persona të certifikuar dhe të betuar si deputetë, i bën vendimet dhe veprimet kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme”, u shpreh Bajraktari për AP.
Ndonëse një vendim të tillë e ka konstatuar Gjykata Supreme, ai thotë se për konstatimin e secilit rast, vendim apo veprim, palët e autorizuara duhet t’i dërgojnë ato në gjykata, varësisht nga lloji dhe natyra e vendimit.
“Vetëm qeveria në dorëheqje, si rrethanë përjashtuese, mund ta aprovojë buxhetin dhe t’ia propozojë Kuvendit, sipas dispozitave të Ligjit për Qeverinë. Por tash e sa kohë, ka tentativa për t’i legjitimuar sjelljet, veprimet dhe vendimet që janë tërësisht në shkelje të normave juridike”.
Sipas Bajraktarit, kjo qasje është për t’u brengosur, jo vetëm për rendin demokratik dhe institucional, por edhe për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe mungesën e sigurisë juridike në vend.
Të premten edhe 15 organizata joqeveritare që veprojnë në Kosovë kanë reaguar pas miratimit të këtyre vendimeve, duke e cilësuar këtë akt si të paligjshëm.
Sipas tyre, veprimi i Qeverisë bie në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe me Kushtetutën, pasi në votim morën pjesë persona që tashmë janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Ministrat e kabinetit qeveritar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar të ushtrojnë funksione ekzekutive edhe pas certifikimit të tyre si deputetë, duke refuzuar të japin dorëheqje sipas ligjeve në fuqi dhe dispozitave kushtetuese.
Ndërsa, Kosova është zhytur në krizë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u zhvilluan para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi mund të përfundojë në një cikël të ri zgjedhor në dhjetor, në përpjekje për t’iu kthyer normalitetit.










