Gjykata Federale dëbon sirianin: Kishte sulmuar shqiptarët me grupin e tij

Siriani me prejardhje kurde kishte mbledhur rreth njëzet miq në apartamentin e tij dhe bashkë kishin sulmuar grupin prej 9 shqiptarësh.

Gjykata Supreme Federale ka rrëzuar ankesën e një burri sirian i cili kishte organizuar dhe marrë pjesë në një sulm ndaj një grupi rivalësh në Thun, Kantoni i Bernës, në gusht të vitit 2017. Siriani, edhe pse i integruar mirë duhet të largohet nga Zvicra, transmeton albinfo.ch.

Më 11 gusht 2017, personi atëherë 22-vjeçar kishte patur një përballje fillestare me një grup të përbërë kryesisht nga shqiptarë. Duke kërkuar hakmarrje, siriani me prejardhje kurde kishte mbledhur rreth njëzet miq në apartamentin e tij të nesërmen dhe kishte hartuar një strategji sulmi për mbrëmjen, shkruan Agjencia Zvicerane e lajmeve, SDA.

Kur erdhi koha, grupi, i armatosur me sprej piperi, shkopinj, thika, zinxhirë biçikletash dhe kaçavida, shkoi në qendër të Thunit. Me një avantazh numerik prej 25 personash, ata rrethuan nëntë kundërshtarët e tyre dhe i sulmuan pa paralajmërim.

Së bashku me tetë sirianë të tjerë, i përmenduri më lartë u dënua në vitin 2020 me një gjobë me kusht prej 116 frangash në ditë për sulmin. Ai gjithashtu u urdhërua të largohej nga vendi, përcjell albinfo.ch. Në janar të vitit 2023, Gjykata e Lartë e Bernës e rriti dënimin fillestar në 145 tarifa ditore dhe mbështeti urdhrin e deportimit.

Gjykata Supreme Federale: U vërtetua se sulmi ishte i njëanshüem

Para Gjykatës Supreme Federale, siriani ka bërë ankesë që urdhri i deportimit të rrëzohej dhe veprimet e tij të klasifikoheshin si përleshje. Në një vendim të publikuar të enjten, gjykata arriti në përfundimin se anëtarët e dy grupeve nuk kishin sulmuar njëri-tjetrin. Përkundrazi, sirianët kishin ndërmarrë menjëherë veprime, duke përbërë kështu një sulm të njëanshëm.

Sipas Gjykatës Supreme Federale, faji i burrit sirian është i rëndë. Si nxitës, ai kishte bërë bashkë të njohurit e tij, kishte planifikuar sulmin dhe kishte marrë pjesë në të.

Gjykata shkruan se siguria publike e Zvicrës është më e rëndësishme se interesi privat i të riut për të qëndruar në Zvicër me gruan dhe fëmijën e tyre, transmeton albinfo.ch. Situata në Siri është e pasigurt, por ankuesi nuk duket se është në rrezik jete në vendin e tij të lindjes.