Kur pleqëria ia kishte shtuar hallet, një pensionist kishte harruar që dy herë në vit do i duhej të ia dëshmonte shtetit që është gjallë, duke u shfaqur fizikisht në Departamentin e Pensioneve.
Kur kishin kaluar 6 muaj e ai nuk qe për të nënshkruar, në fund të muajit pensioni nuk i doli në llogari.
I mbetur pa të ardhurat e vetme personale që merr gjatë muajit, pensionisti ishte drejtuar tek një avokat në mënyrë që të marrë pensionin në mënyrë retroaktive.
Vetëm në këtë mënyrë avokati Muhamet Mujaj u njoftua për një dukuri të tillë.
Derisa po përgatiste dokumentet për të dëshmuar në gjykatore që pala e tij ka të drejtë, Mujaj për Kiks Kosova tha se vërejti mospërputhjen mes ligjit dhe udhëzimit administrativ lidhur me këtë çështje.
Me të marrë vesh një gjë të tillë, avokati Mujaj përgaditi një padi për të eleminuar një padrejtësi të tillë, të cilën e drejtoi për në Gjykatën Supreme.
Kur fotografitë e pensionistëve duke pritur vërshuan rrjetin edhe një herë, Muja tha se vendosi që t’i informojë qytetarët nëpërmjet një postimi lidhur me padinë e ngritur.
Pikërisht në ditën kur KIKS Kosova po realizonte intervistën me avokatin, Supremja i kishte dërguar lajm se kishte caktuar datën e seancës së parë.
Muja pret që Gjykata Supreme të marrë vendim e të hedhë poshtë udhëzimin në fuqi.
E pas vendimit të Supremes, Muja thotë se shpreson edhe tek masat që do ndërmarrë Ministria më tutje.










