Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, edhe pse mori 42 për qind të votave nga zgjedhjet nacionale, nuk arriti të formojë institucionet e reja.
Në Klan Kosova, ajo ka thënë se shkaku i arrogancës së Kurtit vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja nacionale, transmeton Klankosova.tv.
“Për mua asgjë që po ndodh nuk është e papritur. Do të shohim edhe ditëve në vazhdim vendime të tjera, të cilat janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Janë vendime dhe qëndrime që Albin Kurti dhe LVV do t’i përdorin ditëve në vazhdim”.
“Lëre që Kosova për pesë vjet nuk ka shënuar asnjë progres. Për tetë muaj të bllokadës institucionale, një njeri që ka marrë besimin e qytetarëve, 42%, nuk ka arritur të bëjë asnjë lëvizje në drejtim të krijimit të institucioneve, për ta realizuar legjitimitetin që qytetarët ia dhanë vendit, për shkak të arrogancës dhe politikës së tij të diktatit”.
“E sot, një javë para zgjedhjeve të ballotazhit, në kohën kur Kosova po rrëshqet drejt zgjedhjeve të reja për shkak të arrogancës dhe paaftësisë së zotëri Kurtit, ai vendos të dalë me premtime, të cilat natyrisht prekin qytetarët”, ka thënë Deliu-Kodra.










