Shënohet 21 vjetori i rënies së heroit Agron Rrahmani

Në fshatin Ballofc të komunës së Besianës (Podujevës) u shënua 21 vjetori i rënies heroike të heroit Agron Rrahmani.

Në shënimin e 21 vjetorit të figurës së heroit Agron Rrahmani, morën pjesë bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë të tij, krerë të subjekteve politike, të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së dhe qytetarë.

Për jetën dhe veprën e Agron Rrahmanit, fjalë rasti mbajti bashkëveprimtari Driton Avdiu, i cili tha se Agroni ka qenë komandant i njësitit “Rexhep Mala”, njësit i parë gueril i qytetit të Prishtinës. Ai ishte i shquar për organizim të mirëfilltë të njësiteve të para ushtarake, dhe së bashku me shokët e tij ka ndikuar shumë që të krijohet struktura organizative dhe vullneti për luftë në gjithë Kosovën.

Në emër të selisë qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, fjalë rasti mbajti Fahri Balaj, i cili Agron Rrahmanin për nga strategjia ushtarake e krahasoj me Mihal Gramenon dhe Çerçiz Topullin.

Përndryshe, Agron Rrahmani ka qenë komandant i njësitit të parë gueril të Prishtinës. Ai u vra në përpjekje me forcat serbe në “Lagjen e Muhagjerëve” në krye të detyrës./Fokusi.info/