Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë ka thënë se po miratojnë po miratojnë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026.
Për këtë çështje, njohësit e fushës kanë deklaruar se qeveria në detyrë nuk mund të miratojë buxhetin për shkak të kufizimeve në vendimmarrje.
Sidoqoftë, Kurti tha këtë do ta bëjnë dhe i bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive që ta miratojnë në Kuvend.
“Brenda afatit ligjor sot po miratojmë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026. Sikurse çdo vit edhe ky buxhet do të ketë shumë risi. Është buxhet në vlerë prej 4 miliardë euro ku ¼ janë buxhetuar për investime kapitale”.
Kurti bëri edhe një premtim ndonëse nuk është i sigurt se ky buxhet do të mund të kaloj.
“Dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik, me qeverinë tonë në fund të vitit do të mund ta përfitojë edhe pagën ë 13-të”.
Kurti tha se ky buxhet do të sigurojë qëndrueshmërinë e shtetit derisa me situatën aktuale është në rrezik që punonjësit e sektorit publik të mbesin pa paga.
“Por, para se gjithash me këtë buxhet sigurohet qëndrueshmëria dhe vijimësia e shtetit tonë dhe e zhvillimit të tij. Megjithëse jemi qeveri në detyrë përmes Ligjit për Qeverinë, Kuvendi ka paraparë që edhe në situata të tilla ku formimi i institucioneve mund të zgjasë më shumë sesa që duhet shteti vazhdon funksionimin. Konkretisht paragrafi i pestë i nenit 31 të Ligjit e parasheh që edhe qeveria, e cila ka përfunduar mandatin e plotë siç është rasti me ne, mund të propozojë buxhetin vjetor para Kuvendit sikurse është përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni”.
“Prandaj, sot si qeveri përveçse po e zbatojmë një detyrim ligjor sa i përket respektimit të afateve për miratim të buxhetit, gjithashtu po kryejmë obligimin tonë si qeveri në detyrë që shteti të shteti të mos mbetet pa buxhet. I takon Kuvendit dhe të gjithë deputetëve që këtë buxhet ta miratojmë para se të shkohet në zgjedhje të reja në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shtetit dhe të mos ndeshemi me situata ku shteti nuk ka buxhet të miratuar”.



 
															






