Dështimi për formimin e një qeverie të re ka rritur rrezikun që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet. Kësisoj Qeveria e Kosovës është e obliguar që deri më 31 tetor t’ia dërgojë Kuvendit për miratim propozim-buxhetin për ndarjet buxhetore.
Kosova aktualisht është me qeveri në detyrë, e pa parlament të konstituuar.
Njohës të fushës thonë se në situatën aktuale, as planifikimet për ndarjet buxhetore nuk mund të bëhen si duhet, ndërsa ish-zëvendës ministri i Financave, Fatmir Gashi, thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka të drejtë të dërgojë buxhetin në Kuvend.
“Kjo është e paraparë me ligj dhe vetëm qeveri të rregullta pas zgjedhjeve mund të dërgojnë buxhetin në Kuvend”, ka sqaruar Gashi.
Gashi po ashtu për lajmi.net, ka shpjeguar se në rast se buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, atëherë do të hyjë në fuqi neni 24 i ligjit për menaxhimin e financave publike me ç’rast, ish ministri, ka treguar se parashihen tre skenarë si në vijim:
“E para në qoftë se zgjedhjet janë mbajtur në katër mujorin fundit të vitit atëherë buxheti është i hapur deri më 1 mars dhe paguhen 1/12 e buxhetit të vitit 2025. Kjo është varianti i parë që nuk vlen, por varianti i dytë i cili e lë buxhetin e hapur vetëm një muaj domethënë me 1 shkurt buxheti i Kosovës mbyllet dhe të gjitha pagesat mbyllen me përjashtim borxhi publik, pagesat tjera bllokohen dhe janë të parealizuara, pra kjo e vë në situatë të vështirë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj, në këtë rast një qeveri teknike do të ishte zgjidhja më e mirë për të menaxhuar procesin deri në zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Gashi.
Mendim të njëjtë me ish-zëvendës/ministrin e Financave, ka ndarë edhe eksperti i Ekonomisë, Adem Qorrolli, i cili thotë se Kosova po rrezikon të hyjë në një krizë buxhetore, kjo pasi siç sqaron ai ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e shtetit dhe në stabilitetin e tij politik.
“Në rast se viti 2026 fillon pa miratimin e buxhetit, shteti nuk do të ketë mundësi të financojë shpenzimet e rregullta, si pagat e sektorit publik, pensionet dhe projektet kapitale. Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, në mungesë të buxhetit të miratuar, Qeveria mund të kryejë vetëm shpenzime të kufizuara për nevoja emergjente. Kjo gjendje do të sillte bllokadë institucionale, vonesa në pagesa, ndalim të investimeve publike dhe pasiguri ekonomike për qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar për lajmi.net, Qorrolli.
Po ashtu Qorrolli, tregon se në rast se edhe në tentativën e ardhshme Kuvendi do të dështojë të formojë Qeverinë, vendi do të përballet me një krizë politike dhe kushtetuese, krejt kjo pasi në këtë rast Presidentja Osmani do të detyrohej të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, pra do ta zgjaste edhe më shumë mungesën e një qeverie funksionale.
“Kjo do të ndikonte negativisht në miratimin e buxhetit, në zhvillimin ekonomik, si dhe në raportet ndërkombëtare të Kosovës. Në përfundim, procesi i formimit të qeverisë dhe miratimi i buxhetit janë thelbësorë për funksionimin normal të shtetit. Çdo vonesë ose dështim në këto procese rrezikon të shkaktojë krizë institucionale, financiare dhe politike, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe në stabilitetin e përgjithshëm të vendit”, potencon Qorrolli.
Tutje eksperti i Ekonomisë, vlerëson se kjo krizë ka ardhur pas ofendimeve të bëra në drejtim të opozitës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjë për të cilën thotë se përgjegjësia kryesore bie mbi të.
“Tashmë po bëhet e dukshme se ai nuk do të jetë më kryeministër në qeverinë e ardhshme, dhe këto janë metodat e fundit për ta mbajtur pushtetin mbi një popull të varfër, të mashtruar dhe mbi një shtet me institucione të shkatërruara. Ky është Albin Kurti, dhe kjo është Vetëvendosja”, ka thënë Qorrolli.
Edhe për ekonomistin, Jakup Bellaqa, mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026, në aspektin ekonomik do të krijonte kolaps institucional.
Në një prononcim për lajmi.net, Bellaqa, thotë se mosmiratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm do të krijonte edhe mos pagesë të pagave në sektorin publik, i cili vlerëson se në këtë rast do të prekeshin rreth 84 mijë nëpunës publik përfshirë, sektori Arsimit, Shëndetësisë, Drejtësisë, Ushtrisë, Policisë, Zjarrfikësit si dhe të gjithë punëtorët e administratës publike.
“Gjithashtu nuk realizohen as financimet për projektet kapitale dhe infrastrukturore dhe për mallra dhe shërbime, pastaj as kategoritë pensionale dhe ato kategoritë me mbështetje sociale si dhe pagesat ndaj komunave dhe krijohet pasiguri edhe për investitorët e huaj dhe të brendshme dhe nuk ka as shpenzime publike dhe private ku ekonomia del prej shtratit të vet”, ka theksuar Bellaqa.
Mes tjerash Bellaqa thekson se projekt buxheti është dokumenti më unik dhe i rëndësishëm i çdo qeverie dhe populli, ndonëse thekson se kjo duhet parë kështu edhe nga të tjerët pasi nga ajo varet mirëqenia socio-ekonomike.
“Unë nuk besoj se kjo nuk duhet të ndodh, por se buxheti në këtë rast do të ishte ndoshta e domosdoshme ta përgatit buxhetin edhe qeveria aktuale në detyrë dhe parlamenti ta miratoj dhe në të ardhmen qeveria e re mundet në rishikim buxhetor t’i shtoj prioritet nëse ka, pra nuk duhet të politizohet kjo çështje”, deklaroi Bellaqa.
Se do të ketë krizë të thellë buxhetore Kosova, ka vlerësuar edhe eksperti i Ekonomisë, Mustafë Kadriaj, i cili në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se do të përballemi me rënie ekonomike dhe ulje të mirëqenies në vend.
“Kriza do të jetë evidente në funksionimin e ekonomisë dhe të Kosovës si shtet pra nuk do kemi investime, nuk do kemi marrëveshje bilaterale me interes ekonomik pra rrjedhimisht do përballemi me rënie ekonomike dhe ulje të mirëqenies ne vend. Edhe ato pagesa për paga dhe mëditje qeveria do të ketë bazën ligjore më së largu deri në muajin e mars 2026 pra nëse nuk do kemi qeveri deri në fund të muajit mars Kosova do të hyjë ne bllokadë totale. E kjo bllokadë do sjellë në pikëpyetje funksionimin e Kosovës si shtet”, ka thënë Kadriaj.
Ndonëse dy ditë më parë u raportua se Lëvizja Vetëvendosje ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e seancës së re për formimin e qeverisë, hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, për lajmi.net, thotë se nënshkrimet të cilat u përmendën nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve.
“Ato mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, në kuadër të “kritereve mbizotëruese”. Për më tepër, mes tjerash (por jo vetëm) për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 sosh për thirrje të seancës”, ka thënë Cakolli.
Teksa Cakolli, ka theksuar se, seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për ligjin për buxhetin.
“Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin”, tha Cakolli.
Edhe Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se Qeveria Kurti 2 është qeveri në detyrë dhe nuk ka të drejtë të propozojë propozojë buxhet e as Kuvendi nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin e qeverisë në detyrë.
Shala ka thënë se Ligji për Qeverinë thotë se “Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës”.
Por, ai thotë se Qeveria Kurti 2 është qeveri në detyrë e jo qeveri në dorëheqje.
“Ligji për Qeverinë (neni 31.2) thekson se “…Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.” Por, po ky ligj përcakton edhe se çfarë është një Qeveri në dorëheqje. Për këtë, neni 30.2 thekson se: “Qeveri në dorëheqje konsiderohet në situatat si në vijim: 2.1. Pas shpërndarjes së Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re; 2.2. Pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit apo në çdo rast tjetër në të cilin posti i Kryeministrit mbetet i lirë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës, dhe nëse kjo nuk arrihet, deri në situatën e përcaktuar në paragrafin 2.1 të këtij neni; 2.3. Pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj, nga ana e Kuvendit, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.” Asnjëra prej këtyre situatave nuk aplikohet në rastin e Qeverisë Kurti, e cila është Qeveri në detyrë dhe jo Qeveri në dorëheqje. Qeveria në dorëheqje i referohet një qeverie që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar, e që vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, dhe jo në rastet kur Qeverisë i ka përfunduar mandati. Në rastin konkret, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj. Prandaj, Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin, e as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë propozimin e buxhetit të kësaj qeverie në detyrë”, ka shkruar Shala në Facebook.
Katrahura e shkaktuar në Kuvend me mos votimin e Qeverisë duke rrezikuar kështu edhe buxhetin e vendit, ka bërë që të reagoj edhe Albert Krasniqi, nga Demokracia Plus i cili thotë se e vetmja rrugë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së është dakordimi i një qeverie teknike.
“E vetmja mundësi ligjore dhe kushtetuese për miratimin e buxhetit është që partitë politike – veçanërisht ato opozitare – të bien dakord për formimin e një qeverie të përkohshme teknike, me mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së. Një qeveri e tillë do të siguronte funksionalitetin institucional dhe do të shmangte bllokimin financiar të shtetit, duke respektuar parimet e ndarjes së pushteteve dhe legjitimitetit demokratik”, ka theksuar ai në një postim në Facebook.
Ndryshe javën e kaluar, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, paralajmëroi se buxheti për vitin e ardhshëm për komunat do të rritet në mbi 867 milionë euro, derisa u shpreh se janë siguruar që komunave të mos u zvogëlohet buxheti.
Ndërkaq, tri komuna, ajo e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut nuk po arrijnë të realizojnë një sërë projektesh të parapara për shkak se nuk u është alokuar buxheti i këtij viti.










